Osmani: Beteja jonë me Covid-19 nuk ka përfunduar

23:04 | 17 Tetor 2020
Arditë Shkodra

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth situatës epidemiologjike në vend. Osmani ka thënë se beteja me COVID-19 nuk ka përfunduar, derisa ka bërë thirrje për kujdes.

Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Osmani ka thënë se dhimbja mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar.

“Beteja jonë me COVID-19 nuk ka përfunduar dhe këta muaj rritet rreziku siç po dëshmohet me rritjen e numrave të të infektuarve. Por, siç kam theksuar gjithmonë, prapa secilit nga këta numra qëndron një histori, një familje, dhimbje e frikë, përballje me shumë sfida. Prandaj, kujdesi ynë ndaj shëndetit tani është edhe më i rëndësishëm. Dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, ashtu siç po rriten numrat, në qoftë se nuk tregojmë kujdes të shtuar”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka bërë thirrje për bartjen e maskave dhe mbajtjen e higjienës dhe distancës fizike.

“Pra, ta mbajmë maskën, higjienën e distancën fizike edhe atëherë kur ndihemi të lodhur nga e gjithë kjo që po ndodhë, e edhe atëherë kur na mungojnë përqafimet e më të dashurve. COVID-19 është kudo përreth nesh. Kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!”, ka shkruar kryeparlamentarja.

Të ngjashme