Osmani: Askush nuk më ka kërkuar që unë të përfshihem në dialogun Kosovë-Serbi si u.d e Presidentes së vendit

17:21 | 10 Nëntor 2020
L G

Ushtruesja e detyrës së presidentes së vendit, dhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se nuk ka marrë ftesë nga askush për të qenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi.

Osmani në një konferencë për media pas takimit që pati me presidenten e Këshillit Kombëtar Zviceran, Isabelle Moret, tha se ende nuk ka qenë pjesë e këtij dialogu nga fillimi dhe nuk do të donte të futej në një proces në të cilin nuk ka qenë nga fillimi .

“Si ushtruese e detyrës së presidentit të vendit, por as si kryetare e Kuvendit të Kosovës, askush nuk ka kërkuar që unë të përfshihem në dialog. Edhe ashtu mendoj se nuk do të ishte racionale që unë të përfshihem në një proces që unë nuk kam qenë nga fillimi”, tha Osmani.

Ajo, pohoi se si kryetare e Kuvendit të Kosovës do të kërkonte nga forcat politike të vendit të jenë të involvuara në këtë proces.

“Unë do të kërkoj nga pozita e kryetares së Kuvendit të Kosovës që të gjitha forcat politike në vend, të jenë të involvuara në këtë proces, sepse ajo marrëveshje në fund do të vijë po në këtë kuvend, kurse nga pozita e ushtrueses së detyrës së presidentit të vendit, jo vetëm që e kam detyrë kushtetuese, por e mendoj edhe si të domosdoshme që këto forca politike t’i kenë qëndrimet e përbashkëta rreth asaj sesi përfaqësohet Kosova dhe si e zbërthejmë cilindo qëndrim. Mirëpo tash nuk besoj se do të ishte racionale të futem në një proces, në të cilin nuk kam qenë nga fillimi, apo të marrë përsipër marrëveshjet të cilat i kanë negociuar të tjerët”, u shpreh Osmani.

Megjithatë, ajo konfirmoj se nga askush nuk ka marrë ftesë të jetë pjesë e këtij dialogu.

“Më duhet të konfirmoj se nuk është që kam pasur kërkesë nga dikush në Kosovë deri tani që të jap kontributin tim në këtë drejtim.
Ndryshe, pesë ditë më parë, Vjosa Osmani ka marrë pozitën e ushtrueses së presidentes së vendit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale për krime lufte. /arbresh.info/

Të ngjashme