Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep fund apetiteve të Serbisë

12:46 | 20 Dhjetor 2024
L G

Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, po mbajnë seancë të përbashkët.

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në sesion e përbashkët parlamentar mes Kosovës e Shqipërisë tha se kjo seancë e duhet të shërbejë si një thirrje për veprim, një kujtesë se qëllimi i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha.

“Ne po jetojmë në një kohë të trazuar e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjesht një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngritë edhe më lartë Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin dhe harmoninë e domosdoshme. Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve, liderëve institucioneve dhe gjithsecilit qytetarë. Secili prej nesh duhet ta luaj rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe qytetarëve tanë brenda familjeve e kombeve evropiane”, tha ajo.

Tutje shefja e shtetit tha se lidhja e thellë mes Kosovës e Shqipërisë është e rrënjosur një histori e sakrifica të panumërta.

“Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria e Kosova nuk janë vetëm dy shteteve të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një të ardhme e ndritur”.

Osmani tha se aspirata e Kosovës për t’u anëtarësuar në BE nuk është vetëm qëllim politik, por pasqyrim i identitetit dhe vizionit të saj.

“Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballët në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha.

“Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten. Për t’i kaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. BE-ja do të jetë më e sigurt, më e qëndrueshme e më e plotë me shtete tona si pjesë e saj. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep përfundimisht fund apetiteve të Serbisë”, deklaroi Osmani.

Ajo foli për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës si dhe për tendencat, sipas saj, që në Maqedoninë e Veriut t’i largohen të drejtat e fituara të shqiptarëve.

“Shqiptarët në Preshevë, Medvexhë e Bujanoc i kanë sytë kah na. Atyre vazhdimisht i shkelen të drejtat në mënyrë flagrante. Derisa bota demokratike po i mbyllë sytë para këtyre shkeljeve ne duhet ta ngrisim zërin më shumë se kurrë më parë që të ndërpriten këto shkelje. Derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë Kuvend, akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet si popull konstituiv, ne nuk duhet të qëndrojmë të heshtur as t’i mbyllim sytë përballë këtyre tendencave”, tha Osmani./Arbresh.info/

LEXO EDHE

“Ish krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, Rama nga Prishtina: Procesi është i parregullt

Të ngjashme