Google ADS

Osmani ambasadorëve finlandezë: Serbia bëri agresion ndaj Kosovës

10:59 | 22 Qershor 2023
L G

Presidentja Vjosa Osmani takoi një delegacion të ambasadorëve dhe zyrtarëve të lartë nga Finlanda të cilët po qëndrojnë në Kosovë në një vizitë pune.

Presidentja shprehu mirënjohjen e thellë të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës për mbështetjen e Finlandës për rrugëtimin evropian të Kosovës. Ajo theksoi se Kosova e vlerëson lartë partneritetin me Finlandën dhe konfirmoi gatishmërinë e plotë për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, njofton Presidenca.

E para e shtetit gjatë këtij takimi foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, me ç’rast e konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon, në koordinim dhe bashkëpunim edhe me aleatët.

Ajo foli edhe për tendendcat e vazhdueshme destabilizuese nga ana e Serbisë dhe vuri theks tek rëndësia e ballafaqimit me drejtësinë të grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia e që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët.

“Me këtë rast, në takim u diskutua edhe për tre policët e kidnapuar thellë në territorin e Republikës së Kosovës, gjë që presidentja Osmani e vlerësoi si akt të pastër të agresionit nga ana e Serbisë dhe theksoi rëndësinë e reagimit të unifikuar nga komuniteti ndërkombëtar me qëllim të lirimit të menjëhershëm të policëve që po mbahen padrejtësisht në Serbi”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme