Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar lidhur me miratimin në Kuvendin e Kosovës të Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
OSBE shprehet e shqetësuar lidhur me miratimin e këtij Projektligji.
“KPM-ja luan një rol kyç në kornizën rregullative të mediave të Kosovës. Aftësia e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale ka qenë çelësi i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Ekspertët ndërkombëtarë për të drejtën e medias dhanë, në emër të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së, rekomandime të detajuara për përafrimin e ligjit me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
OSBE ka theksuar se rekomandimet kryesore të ekspertëve të cilat nuk janë marrë parasysh kanë reflektuar shqetësime rreth dispozitave të reja të cilat do të kenë ndikim në përbërjen, rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së, si dhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj dhe kushtet e shërbimit për të zgjedhurit.
“Rekomandimet mbi rolin dhe përgjegjësitë e KPM-së gjatë fushatave zgjedhore gjithashtu nuk janë marrë parasysh. Zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes. U bënë disa përpjekje për të rishikuar disa nene për të arritur qartësi ligjore dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ligjit ende i mungojnë mekanizmat efektivë të vetë-rregullimit”, thuhet tutje në reagim.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shtuar se ndërsa mirëpresim futjen e rregulloreve në lidhje me pronësinë dhe përqendrimin e mediave, vërejmë gjithashtu se, siç janë hartuar, atyre u mungon qëndrueshmëria procedurale.
“Ekspertët ndërkombëtarë ofruan komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky legjislacion i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, që do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi.
Misioni i OSBE-së mbetet i përkushtuar për të mbështetur Kosovën në përafrimin e legjislacionit të saj për të përmbushur standardet më të larta ndërkombëtare.
Do të jetë e rëndësishme që ligji i miratuar tani të jetë objekt i një rishikimi të plotë, gjatë të cilit duhet të kërkohen pikëpamjet e ekspertëve kosovarë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë ne jemi të gatshëm si gjithmonë për të mbështetur KPM-në me këshilla të ekspertëve dhe ngritjen e kapaciteteve”, thuhet në fund të reagimit. /Arbresh.info/
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor, Lajçak: Pres me padur...
E ardhmja e NATO-s dhe qëndrimet e zotit Trump
Gary Neville zbulon se si drejtuesit e Man Cityt e bindën Gu...
“Shqetësimi i Sarës ishte fake”, Xheneta tregohet e ashpër
Abdixhiku nga Malisheva: Më 9 shkurt do ta sjellim bashkë nd...
WhatsApp po prezanton një tjetër veçori të dobishme për përd...