Google ADS

Organizohet pritje për grupin që ka punuar në përgatitjen dhe negocimin e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes

20:33 | 27 Nëntor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, kanë organizuar pritje për grupin që ka punuar në përmbylljen e Agjendës së Reformave të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes, duke shënuar kështu suksesin në përgatitjen dhe negocimin e saj.

Kurti shprehu se kur është bërë prezantimi zyrtar i këtij instrumenti nga ana e Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, më 8 nëntor të vitit 2023, të gjithë kemi kuptuar rëndësinë e tij dhe filluar punën dhe angazhimin serioz në këtë proces, përcjell Arbresh.info

“Negocimi i agjendës së reformave dhe Planit të Rritjes në tërësi ka filluar qysh nga nëntori i vitit të kaluar. Ka qenë një proces i ngjeshur i analizimit, draftimit, negocimit, dhe koordinimit të kësaj agjende të reformave, e puna po zhvillohej paralelisht si në Bruksel ashtu edhe në Prishtinë”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri tha se Kosova ka respektuar të gjitha afatet dhe ka dorëzuar në kohë gjithnjë draftet e kërkuara për agjendën e reformave. “Pothuajse në të gjitha rastet Kosova ka qenë e para. Është punuar shpejt, me përgjegjësi dhe pastër si për kostot financiare për secilën reformë ashtu edhe për listën indikative të projekteve investive”.

Ai po ashtu tha se është bërë një punë e shkëlqyeshme që plani të ketë pronësi, të jetë relevant për nevojat e Kosovës dhe të jetë në harmoni me dokumentet e tjera strategjike e të planifikimit të vendit.

Në këtë pritje, kryeministri shprehu mirënjohjen e tij të thellë dhe falënderoi të gjithë për punën e shkëlqyer, duke filluar nga ekipi i përbërë nga stafi i kabinetit të Zëvendëskryeministrit të parë, kolegët nga Departamentet e Integrimit Evropian, zyrat e tjera në Zyrën e Kryeministrit, për të vazhduar tek kabinetet dhe shërbyesit civil, të cilët kanë kontribuar në këtë proces, duke përfshirë dhe ministritë e linjës si Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Si rezultat i këtij plani, bazuar në zbatimin e reformave të dakorduara me Komisionin Evropian, Kosova do të përfitojë deri në 882,6 milionë euro./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme