Mos zhvillimi i mësimit gjatë muajit shtator në gjithë nivelin parauniversitar në Kosovë për shkak të grevës në arsim, po konsiderohet si dëm i pariparueshëm.
Ministria e Arsimit ka deklaruar se kompensimi i orëve të humbura gjatë grevës do të bëhet, dhe me këtë pajtohen edhe njohësit e arsimit. Mirëpo, ata janë skeptik për efikasitetin që do kenë orët e kompensuara.
Njohësi i arsimit, Rinor Qehaja e vë në pikëpyetje efikasitetin e orëve të zëvendësuara.
“Orët mësimore duhet të kompensohen, por orarët e kompensimit duhet të bëhen për secilën shkollë në koordinim mes komunitetit. Efikasiteti i orëve të zëvendësuara është ajo pikëpyetja e madhe që të gjithë kemi. Ky gjysmë vjetor duhet të jetë i plotë, dhe për këtë nevojitet një përkushtim i të gjithëve”, deklaron Qehaja për arbresh.info.
Ajo çfarë e shqetëson më shumë Qehajan është cilësia e mësimdhënies, duke shtuar se situatë të njëjtë ka pasur edhe më herët.
“Plan programet mësimore do të arrihen sikurse janë arritur edhe në të kaluarën në situata të njëjta, por dështimi në ofrim të një mësimdhënie cilësore është ajo çfarë duhet të na shqetësoj më se shumti”, pohon Qehaja.
Reshaj: Nevojitet një program i ri për kompensimin e orëve të humbura
Njohësi i arsimit, Xhavit Reshaj thotë se nevojitet një program i ri për kompensimin e mësimit thotë
“Duhet të bëhet një program i tërë për kompensimin e mësimit dhe për përmirësimin e arritshmërisë së nxënësve lidhur me pandeminë, PISA-n, dhe zhvillime të tjera jokonstruktive, siç ishte greva”, shprehet Reshaj.
Sipas tij, greva në arsim është e rrezikshme që nga pandemia.
“Greva vetëm sa i ka vënë vulë nivelit të rrezikshëm dëmtimit të mësimit nga pandemia”, potencoi ai.
Që orët e humbura në muajin shtator janë të pariparueshme e thotë edhe njohësi tjetër i arsimit, Argjend Osmani, ani pse ai pajtohet që duhet të bëhet komisioni i orëve të humbura.
“Kompensimi i orëve të humbura duhet të bëhet, sepse humbjet janë shumë të mëdha dhe pasojat në cilësinë e arsimit do të jenë të pariparueshme”, bëri të ditur Osmani për arbresh.info.
Ndryshe, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se orët e humbura gjatë grevës do të kompensohen gjatë të shtunave me plan-programin e ri shkollorë.
MAShT-i ka nxjerrë vendim për plotësim-ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022-2023, sipas të cilit do të zëvendësohen 22 ditët e pa mbajtura të mësimit për shkak të grevës në shtator
Sindikata e Bashkuar për Arsimi që është edhe organizatorja e grevës, ka njoftuar se kompensimi i orëve të humbura nuk është obligim ligjorë.
Ndërsa, Këshilli i Prindërve ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që orët e humbura të mos kompensohen gjatë fund javëve.
Ndërkohë, cilësia e arsimit në Kosovë vihet në pah edhe nga testi i PISA-s, ku Kosova renditet gati në fund të listës.
Madje edhe Banka Botërore në një raport të publikuar në vitin 2020 ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë kanë ngecje në mësim nxënie./arbresh.info/Ejona Hyseni/
“Gjest i shëmtuar”, Vedat Muriqi kërkon falje publike pasi u...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 500 gjoba gjatë 24 orëve të fu...
Lukaj: Kosova s`ka nevojë për asociacione, Kushtetuta jep sh...
Plagosja në Vranjevc – arrestohet një person, i konfis...
Gjendet pa shenja jete një person në Shtërpcë
“Economic Times”: Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për...