ORCA: Të ndalen presionet në Agjencinë e Akreditimit

12:03 | 3 Mars 2020
Arbresh.info

Ndërhyrjet politike në Këshillin Shtetëror të Cilësisë dhe parregullsitë në mbarëvajtjen e punës në Agjencinë e Kosovës për Akreditim, po vazhdojnë ta pengojnë procesin e akreditimit në vendin tonë.

Në tryezë u tha se mungesa e infrastrukturës ligjore po vazhdon ta cenojë pavarësinë e këtyre institucioneve.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të AKA-së, Shkëlzen Gërxhaliu tha se agjencia po përballet me mungesën e stafit, mungesën e databazave të cilat do t’ua lehtësonin punën, si dhe me ndërhyrjet të kohëpaskohshme të cilat sipas tij, nuk po i ndihmojnë procesit të akreditimit të programeve dhe institucioneve.

Anëtarja e KShC-së, Rozafa Koliqi deklaroi se ndërhyrjet në këshill kanë qenë publike dhe se konsideron se ato janë presion i drejtpërdrejtë në punën e tyre, duke u bërë thirrje veçanërisht ambasadorëve që të qëndrojnë larg Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

E pranishme në këtë tryezë ishte edhe ish-kryetarja e KShC-së, Ferdije Zhushi, sipas të cilës, anëtarët e KShC-së duhet t’u rezistojnë ndërhyrjeve në punën e tyre, çfarëdo qofshin ato.

Ndërkohë që drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci përmendi rastin e arrestimit të Henri Çili, pronarit të universitetit privat UET në Shqipëri, i cili ka lëshuar doktorata për vite të tëra, të cilat kanë akredituar shumë programe të kolegjeve private në Kosovë. Andaj sipas Gjinovcit, bizneset private në arsimin e lartë duhet të ndalohen me ligj.

ORCA do të vazhdojë monitorimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë ndërsa përmes QAINT do të ofrohet mbështetje për Agjencinë e Kosovës për Akreditim./arbresh.info/

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme