Organizata për rritjen e cilësisë në arsim, ORCA ka kundërshtuar kërkesën e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës për rritjen e numrit të profesorëve.
Me anë të një komunikate për media, ORCA thotë se realizimi i kësaj kërkese do të nënkuptojë menjëherë hapjen e një numri të madh vendesh pune për titullin akademik Profesor Asistent në Fakultetin e Mjekësisë e si rrjedhojë do të duhet shtuar edhe numrin e asistentëve, përcjell Arbresh.info.
Komunikata e plotë e ORCA-s:
Po ju drejtohemi në këtë formë masive në pamundësi për të zhvilluar takime veç e veç, pasë parasysh kohën e pamjaftueshme që mund ta kemi për ta adresuar problemin që po shtrojmë në këtë letër.
Ju tashmë jeni në dijeni që ORCA për 7 vite me radhë ka monitoruar aspekte të ndryshme të jetës akademike në UP. Në aktivitete të ndryshme publike kemi adresuar çështje që kanë të bëjnë me performancën akademike në përgjithësi e avancimet akademike si një formë e saj në veçanti. Pas gjithë këtyre vitesh analizë të dinamikave që lidhen me angazhimin akademik në UP, ndjehemi se mund të ndihmojmë për ta adresuar çështjen e mëposhtme.
Ka një kohë relativisht të gjatë, që një kërkesë e një pjese të asistentëve të Fakultetit të Mjekësisë, e mbështetur nga eksponentë politikë të partisë në pushtet ka qarkulluar në UP, mirëpo duke mos e pasë përkrahjen e menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë ajo nuk u zbatua asnjëherë. Së fundmi ka gjetur përkrahje te menaxhmenti i ri i Fakultetit të Mjekësisë dhe po synon të zbatohet pa kurrfarë studimi lidhur me atë se a është e nevojshme dhe e dobishme për vet Universitetin. Fillimisht kërkesa buronte nga një fakt notor se në Fakultetin e Mjekësisë ka shumë asistentë që bartin gradën Doctor Scientiae (Doktor i Shkencës), dhe si rrjedhojë, në logjikën e parashtruesve të kërkesës, shihej si detyrë e shtetit, në këtë rast e Universitetit, që patjetër të krijojë një vend pune me titull profesorial për bartësit e ksaj grade. Më vonë kjo kërkesë u “sofistikua” dhe mori formën e një kërkese për rritjen e numrit të grupeve të ligjëratave në Fakultet duke marrë parasysh “specifikat e fushës”, një togfjalësh që kushdo që ka pasur punë në ndonjë fakultet të UP-së, e ka dëgjuar nga secili fakultet.
Realizimi i kësaj kërkese do të nënkuptojë menjëherë hapjen e një numri të madh vendesh pune për titullin akademik Profesor Asistent në Fakultetin e Mjekësisë e si rrjedhojë do të duhet shtuar edhe numrin e asistentëve. Kjo mund të çojë në harxhimin e kuotave të lejuara për UP-në nga Ministria e Financave dhe pamundësimin e punësimeve në të ardhmen pavarësisht nevojave.
Në vijim, më lejoni ta ilustroj përmes numrave se si kjo kërkesë e Fakultetit të Mjekësisë nuk gjen mbështetje të arsyeshme, parë nga prizmi i interesit, vlefshmërisë dhe dobisë për Universitetin e Prishtinës.
Në vitin akademik 2022/23 Fakulteti i Mjekësisë printe me numrin më të madh të stafit akademik, me 230 nga 911 sa ishin total në Universitetin e Prishtinës, që i bie 25% e të gjithë stafit akademik (pa përfshirë bashkëpunëtorët e jashtëm). Ndërkohë ky Fakultet në vitin 2023/24 kishte 12% të studentëve të Universitetit të Prishtinës. Raporti staf akademik për studentë në Fakultetin e Mjekësisë është 1 me 14, raporti më i mirë në tërë Universitetin e Prishtinës, standard ky i synuar edhe në vendet e BE-së. Pra, mund të argumentohet se ky është Fakulteti që më së paku ka nevojë për staf të ri akademik krahasuar me bie fjala në Fakultetin Ekonomik ku raporti staf akademik për studentë është 1 me 64, apo 1 me 71 në Fakultetin Juridik. Si shembull tjetër i një drejtimi me interes nacional është ai i Fakultetit të Edukimit, i cili raportin staf akademik për studentë e ka sa dyfishi i Fakultetit të Mjekësisë, pra 1 staf akademik për 31 studentë.
Rritja e numrit të profesorëve asistentë dhe si rrjedhojë e asistentëve në Fakultetin e Mjekësisë, do të bënte që kjo njësi akademike të kishte afër 30% të stafit akademik në nivel Universiteti, në diskrepancë të thellë me njësitë tjera akademike të një Universiteti me 14 sosh, ndërkohë që do të vazhdonte të kishte vetëm 12% të studentëve të të gjithë Universitetit.
Sipas të dhënave të vitit të fundit, Fakulteti i Mjekësisë prinë me 230 pjesëtarë të stafit akademik (25%), i përcjellë nga FSHMN me më pak se gjysmën e Fakultetit të Mjekësisë me 101 pjesëtarë (11%), të përcjellë nga Fakulteti i Arteve me 90 pjesëtarë (10%), Filologjia me 77 pjesëtarë (8%), Ekonomiku me 65 pjesëtarë (7%), Filozofiku me 58 pjesëtarë (6%), Edukimi me 57 pjesëtarë (6%), Juridiku me 48 pjesëtarë (5%), Bujqësia e Veterinaria me 41 pjesëtarë (5%), Inxhinieria Mekanike 39 pjesëtarë (4%), FIEK-u 36 pjesëtarë (4%), Inxhinieria e Ndërtimit 34 pjesëtarë (4%), Shkencat Sportive 17 pjesëtarë (2%) dhe Arkitektura me 17 (2%).
Është e qartë se kërkesa e disa asistentëve të Fakultetit të Mjekësisë nuk është e bazuar në një studim që do të kishte parasysh cilësinë e studimeve në tërë Universitetin e Prishtinës, por në interesin vetjak e legjitim të avancimit në karrierë të disa personave. ORCA beson se duhet bërë një studim për atë se si do të mund të rritej numri i stafit akademik në nivel universiteti duke synuar rritjen e cilësisë në universitet. Kësisoj do të jepej mundësia e përmbushjes së synimeve legjitime të avancimit në karrierë të personave të ndryshëm, por bazuar fillimisht në interesin e universitetit dhe cilësinë e punës së tij.
Hapja e këtyre vendeve për Fakultetin e Mjekësisë, punësimi i profesorëve asistentë dhe asistentëve të rinj do të mund të çojë në përmbushjen e kuotave të lejuara nga Ministria e Financave për Universitetin e Prishtinës dhe si rrjedhojë ta bëjë të pamundshëm hapjen e vendeve të reja të nevojshme në të ardhmen në tërë Universitetin. Një situatë e tillë mund të çojë në momente kur Universiteti nuk do të mund të akreditojë programe si pasojë e mungesës së stafit apo situata të tjera që nuk mund të parashikohen tani.
Për këtë problem me një letër të ngjashme tashmë e kemi informuar rektorin e UP-së, profesor Hajrullahun. ORCA ju fton edhe juve që ta hapni këtë debat në fakultetet tuaja, të kërkoni nga eprorët apo përfaqësuesit tuaj një studim të mirëfilltë të gjendjes aktuale të nevojave për staf akademik në UP si dhe një planifikim afatmesëm e afatgjatë për ripërtrirjen e shtimin e stafit. ORCA është e hapur të ndihmojë në këtë proces me të gjitha mjetet e saj.
Refuzimi i kërkesës së Fakultetit të Mjekësisë nga Senati i UP-së si organi më i lartë për çështje akademike, do të ishte dhënie fund e improvizimieve dhe praktikave të dëmtimit të buxhetit të UP-së për të rehatuar persona të caktuar që në cilëndo qeveri gjejnë miq dhe lidhje për t’i realizuar kërkesat e tyre.
Ne si organizatë jemi të përkushtuar që të avokojmë me të gjitha mjetet për ngritjen e cilësisë në UP dhe parandalimin e ndërmarrjeve që dëmtojnë interesin e saj. Ndërkohë letrën po e mbyllim duke ju lutur juve të veproni në interes të Universitetit siç besojmë se do të bëni. Ju lutemi mbajeni parasysh se nëse u jepet mundësia asistentëve të Fakultetit të Mjekësisë të ngrihen në titull, nuk ekziston asnjë arsye për diskriminimin e asistentëve të fakulteteve tjera duke u thirrë në “specifikat e fushës”. Ka vetëm një specifikë që duhet të na udhëheqë në ndërmarrjen e politikave të tilla, ajo është rritja e cilësisë në Universitetin e Prishtinës, udhëheqësin e Arsimit të Lartë në Kosovë./Arbresh.info
ASK: Shtrenjtohen qumështi, vezët dhe mjalti në Kosovë
Barcelona mund të mos bëjë asnjë nënshkrim të madh në vitin ...
Vithkuqi fshati me 24 kisha dhe manastire
Trepça nesër luan sfidën e radhës në Fiba Europe Cup
“Pse nuk kallxojshe që je tu heq për famë”, Drenusha e ashpë...
Zgjedhjet në SHBA, Hovenier ndan mesazh nga Prishtina për vo...