Google ADS

ORCA kundër afateve shtesë për provime në UP

12:10 | 7 Nëntor 2024
K.B

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim(ORCA) ka kundërshtuar thirrjen për bojkot të mësimit nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, për shkak të mosplotësimit të kërkesës që kjo organizatë e ka cilësuar si ilegale për caktimin e afateve shtesë të provimeve në UP.

Në reagimin e tyre thuhet se në UP ekzistojnë 3 afate provimesh dhe nuk përmend askund mundësinë e organizimit të afateve tjera të provimeve.

“Statuti i ri ashtu si edhe statuti i kaluar, janë të qartë që në UP ekzistojnë 3 afate provimesh dhe nuk përmend askund mundësinë e organizimit të afateve tjera të provimeve. Gjatë draftimit të Statutit të ri të UP-së, përfaqësuesit studentor kanë qenë pjesë e grupit punues dhe nuk e kanë ngritur këtë çështje”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.

ORCA ka bërë thirrje në respektimin e Statutit dhe ligjshmërisë në organizimin e jetës akademike në Universitetin e Prishtinës.

“Organizimi ilegal i afateve shtesë të provimeve, që ishte praktikë e deritashme e Universitetit të Prishtinës, ka dëmtuar cilësinë në arsimin e lartë, ku gjatë këtyre afateve sallat e ligjëratave boshatisen, aktivitetet tjera akademike shuhen në periudha të shpeshta sa herë që mbahen afatet ilegale shtesë të provimeve”, thuhet në njoftimin nga ORCA.

Ata kanë bërë gjithashtu thirrje për respektim të ligjeve dhe Statutit të UP, derisa mbështesin vendimin e Senatit që të mos e miratojë asnjë kërkesë që nuk ka bazë në Statut apo në ligje të aplikueshme në Kosovë./Arbresh.info/

Të ngjashme