ORCA i dhuron 503 libra Universitetit të Gjakovës

18:32 | 20 Dhjetor 2021
Përparim Bublaku

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) i ka dhuruar kopje 377 tituj të librave, në 503 kopje, Universitetit të Gjakovës, si pjesë e fushatës për të pasuruar bibliotekat e universiteteve publike në vend.

Krijimi i hapësirës dhe pasurimi i saj me libra, është mundësuar përmes skemës së granteve nga ORCA (projekti QAINT i financuar nga ADA), ndërkaq funksionalizimi i Këndit të Librit (hapësirës për studentë) është bërë nga ana e studentëve, të cilët do vazhdojnë aktivitete të ndryshme brenda kësaj hapësire si klube të leximit, debatit, filmit, diskutime për çështje studentore, etj.

Rektori i Universitetit të Gjakovës, Artan Nimani, tha se si institucion arsimor do t’u krijohen kushte të favorshme studentëve për lexim.

“Universiteti i Gjakovës është i hapur, është institucion që e mirëpret secilin prej iniciativave dhe mundohemi t’u krijojmë studentëve kushte të përshtatshme dhe të favorshme, me qëllim të shpërndarjes sa më të madhe dijes dhe të krijimit të hapësirave dhe këndeve të veçanta”.“Në Universitetin e Gjakovës ekzistojnë dy klube të librit, përpos organizatave që merren me këtë fushë. Ajo që na mbetet neve është t’i përshëndesim dhe të punojmë bashkërisht që këtë investim modest ta zgjerojmë edhe me projekte tona”, tha Nimani, raporton Ekonomia Online.

Dibran Hoxha, koordinator i aktiviteteve në ORCA, tha se kjo hapësirë do të shfrytëzohet nga vetë studentët për të organizuar debate e diskutime.
“Këndi i leximeve ka qenë një vullnet prej studentëve të Universiteteve Publike dhe sot janë bërë dërgesat në pesë universitete, ndërsa për Gjakovën janë 560 libra”.“Unë dua t’i falënderoj për vullnetin vetë studentët, si dhe rektorin Nimani që e ka lejuar një hapësirë të tillë. Kjo është një nismë qe do ta bëjmë për të nxitur frymën e lexumit në mes të studentëve. Ky kënd i leximit shpresoj që ka me u shfrytëzu nga vetë studentët për të organizuar qoftë klube të leximit ose debate e diskutime”, tha Hoxha.

Ai shpjegoi se për të gjitha universitetet publike do të dhurohen 1493 tituj në 2099 kopje.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme