Opozita: Strategjia e Zgjerimit të BE-së e padrejtë, faji te institucionet kosovare

10:08 | 8 Shkurt 2018
Arbresh.info

Strategjia e Zgjerimit të Bashkimit Evropian e publikuar nga Komisioni Evropian të martën, po vlerësohet e padrejtë për Kosovën, por për këtë sipas përfaqësuesve të partive opozitare ka ndodh për fajin e vet të institucioneve të Kosovës.

Bashkimi Evropian në Strategjinë e Zgjerimit për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës nuk i jep afate kohore për anëtarësim, ndërsa sipas deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli kjo strategji nuk jep as një sinjal se kur Kosova mund të anëtarësohet në BE.

“Sa i takon Kosovës, strategjia e Komisionit jo vetëm që nuk jep orientim për datë anëtarësimi, apo për të qenë vend kandidat për anëtarësim, por nuk jep as edhe një sinjal që diçka e tillë”, ka thënë Pacolli për lajmi.net.

Në strategjinë e zgjerimit BE ka përmendur se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare për të ecur drejt integrimit.

Por, sipas deputetes Pacolli edhe pse dialogu me Kosovës dhe Serbisë i nisur më 2011, u bë me arsyetimin për integrim në Evropë, ai nuk solli asnjë dobi për Kosovën, ndërsa që i hapi rrugë Serbisë për anëtarësim.

“Tani pas shtatë viteve u kuptua se përmes dialogut pa kushte, përveç koncesioneve të dëmshme nuk pati hapa pozitivë për Kosovën drejt integrimit evropian. Përmes dialogut Kosova ia hapi rrugën Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa neve na u shtua fusnota e u hoq fjala Republikë, duke mos pasur kështu rrugë nëpër të cilën do të ecnim në cilësinë e shtetit”.

“Kjo qasje e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është një sinjal shumë i qartë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Ne duhet të ideojmë dhe strukturojmë një politikë të brendshme e rajonale, të Kosovës e të Shqipërisë, për të vendosur peshën që kemi dhe për të realizuar qëllimet ku duam të jemi, në Ballkanin Perëndimor e drejt BE-së”, është shprehur Pacolli.

Ndërsa, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani e cila është edhe kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme ka vlerësuar se strategjia për zgjerim e BE-së i jep një mundësi Kosovës, por që sipas saj Qeveria aktuale nuk mund t’i plotësojë kriteret e kërkuara.

“Strategjia për zgjerim i jep një mundësi Kosovës, por kjo mundësi nuk do të mund të shfrytëzohet nga Qeveria aktuale, e cila jo vetëm që nuk do të plotësojë kriteret e reformat e kërkuara, por siç po shihet, edhe do të bëjë hapa prapa. As reformat ne fushën e sundimit te ligjit e as ato që kanë të bëjnë me qeverisje e demokratizim, nuk do të mund të kryhen nga një qeveri e cila synim e ka keqpërdorimin e pushtetit për interesa vetanake dhe me veprime të papërgjegjshme bënë dëmtimin e perspektives evropiane te Kosovës”, ka thënë Osmani lajmi.net.

Në strategjinë e BE-së është thënë se shtetet e rajonit tonë janë pjesë e BE-së, ndërsa që nuk është specifikuar koha se kur ato mund të anëtarësohen, ndërsa që është përmendur se asnjë shtet nuk mund të anëtarësohet pa zgjidhjen e problemeve fqinjësore.

Një gjë e tillë është përmendur edhe për Kosovën, ku është thënë se “Kosova do të përfitojë nga kjo strategji vetëm nga normalizimi përfundimtar i raporteve me Serbinë”.

Qeveria e Kosovës në reagimin e saj ka thënë se BE nuk ka njohur punët që janë bërë, ndërsa presidenti Thaçi ka thënë se kjo strategji e bënë të paqartë rrugën e Kosovës drejt integrimit./Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme