Google ADS

Opozita: Situata në veri u krijua qëllimisht nga Kurti e Vuçiç, për t’u dhënë autonomi serbëve atje

12:02 | 4 Qershor 2023
A Z

Opozita nuk i ndal kritikat e saj drejtuar kreut të Qeverisë së Kosovës, Albi Kurti rreth trajtimit të situatës në veri të vendit.

Deputetët e dy partive opozitare po e shohin si skenar të mirë menduar nga kryeministri në Qeverinë e Kosovës, Albin Kurti, dhe në koordinim me presidentin e Serbisë, Alekesandar Vuçiç, për dhënien e autonomisë për qytetarët serbë në veri.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi, nuk i beson më asgjë kryeministrit Kurti, pasi sipas saj, ai gjithçka që ka thënë e ka ndryshuar më pas si shef i ekzekutivit.

“Te ky kryeministër nuk besoj asgjë. Nuk merrna me atë se çfarë ka thënë dje, sepse i ndryshon çdo herë”, tha ajo.

Po ashtu, deputetja e LDK-së tha situata në veri është shqetësueses, pasi përveç mungesës së stabiliteti, tani prapë do ketë shpenzime për zgjedhje në atë pjesë të vendit, për të dytën herë brenda vitit.

“ Të gjitha këto që kanë ndodhur deri më tash kanë ndodhur nga kokëfortësia që ka kryeministri Kurti. Pra, nuk është bashkërendua me SHBA-të dhe BE-në. Po ashtu e pamë që Kurti po pranon prapë me shku në zgjedhje pjesa veriore. Kjo është shqetësuese, pasi përveç që nuk ka stabilitet në vend, po ka edhe harxhime, duke mbajtur zgjedhje tash për herë të dytë”, tha Krasniqi

Në anën tjetër, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha tha se ky situata e krijuar në veri, është një plan i bërë në koordinim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Krejt kjo sipas tij, për t’i dhënë autonomi komunave dhe qytetarëve në atë pjesë.

“Ajo po ndodh pikërisht atë që kam paralajmëruar, sepse ky (Kurti) do të marr kësi lloj vendime pa i harmonizuar me ndërkombëtar dhe bënë vendim të dëmshme për Kosovën. E ka bërë qëllimisht për të krijuar një tension të lartë që me arsyetu zbatimin e Zajedincës me status të Beogradit jo me statut të Asociacionit”, tha Berisha.

Ai tha se nuk pret zgjidhje paqësore në veri, ndërsa ka kërkuar nga ndërkombëtarët, partitë politike, shoqëria civile që ta largojnë dhe të kërkojnë vet të largohet kryeministri Kurti, pasi sipas tij. është dëm për Kosovën dhe mund ta humb aleatin më të madh të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Liderëve serbë gjithmonë ua ka shërbyer Kosova si adresë e patriotizmit, nacionalizimit dhe urrejtjes për të mbajtur pushtetin e vet dhe këtë ka bërë Vuciqi. Si ndodhi pikërisht në atë datë kryeministri ynë ta krijoj atë skenarë në veri. Çdo lëvizje që i ka ndodhur dhe që po ndodh tani, është në dëm të procesit së shtetit”, u shpreh Berisha për Arbresh.info.

Ndryshe, situata e tensionuar në komunat veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve të 23 prillit të cilat u mbajtën pas dorëheqjes së 4 kryetarëve që vinin nga Lista Serbe, po vazhdon.

Në shenjë pakënaqësie ata dhanë dorëheqje duke pasuar të dorëhequrit e tjerë nga Prokuroria, Gjyqësori, Policia e Kosovës dhe zyrtarët e tjerë, shkaku i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për heqjen e targave ilegale dhe regjistrimin e automjeteve në legale RKS, nga qytetarët e komunitetit serb atje.

Pra, protestat e qytetarëve serbë të prirë nga drejtuesit e Listës Serbe dhe të dirigjuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, po vazhdon nga dita e premte me 26 maj, të cilat kanë qenë të dhunshme ku janë lënduar dhe plagosur me armë zjarri mbi 20 ushtarë të KFOR-it dhe protestues serbë.

Protestuesit serbë po kërkojnë largimin kryetarëve, mos shkuarjen e tyre në objektet e komunave dhe mos ushtrimin e postit të tyre nga zyrat, ku dikur qeverisnin kryetarët serbë të ardhur nga Lista Serbe. /Arbresh.info/ Pleurat Salihu/

 

Të ngjashme