Partitë opozitare PDK, LDK e AAK kanë kundërshtuar sërish Draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Thonë se si i tillë është i papranueshëm për ta, derisa kërkojnë nga qeveria të gjejë zgjidhje pasi sipas tyre, e zhbën bazën juridike dhe shtetërore të Republikës së Kosovës.
Në rast se drafti nuk pëson ndryshime për Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, është i papranueshëm, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk mund ta mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese.
Ferat Shala nga PDK thotë se drafti aktual e zhbën bazën juridike dhe shtetërore të Republikës, duke konsideruar sipas tij, se Qeveria po gjen rrugë alternative për fillimin e implementimit të Asociacionit.
“Është një draft i papranueshëm dhe me mangësi të jashtëzakonshme, e me pasojë të mëdha juridike, sociale e ekonomike. Ne edhe më herët e kemi ngritur se kjo është një lloj autonomie me kompetenca ekzekutive, që e zhbënë bazën juridike dhe shtetërore të Kosovës…”, tha Shala.
Kompetencat e draftit që parashihen përmes tij, janë arsyet pse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e pranon këtë dokument kështu qysh është.
“Meqenëse nuk parashihet që të vijë në Kuvend por Qeveria do ta dorëzojë në Gjykatë Kushtetuese dhe pas vlerësimit të Gjykatës atëherë hyn në fuqi. Mirëpo nëse nuk përpilohet nuk përmbushet me ata që ne mendojmë, atëherë serbëve u jep në autonomi territoriale që është i papranueshëm dhe kundërkushtetuese”, deklaroi Pal Lekaj nga AAK.
Po ashtu, në mbledhjen e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, kjo parti ka vlerësuar se draftstatuti i Asociacionit e përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës, dhe si i tillë duhet të kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues.
Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund ta mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, thotë ky subjekt politik.
Megjithatë, pozita konsideron se çështja e Asociacionit është trashëgimi nga procesi i mëparshëm i dialogut.
“Ky është një proces që ka mbi 10 vjet në të cilin dialogohet dhe nuk ka pasur rezultate konkrete…mirëpo një gjë që mund të garantohet, është se nuk do të ketë asgjë e cila bie në kundërshtim me rendin kushtetues mbi bazën ligjore, si dhe e sfidon mirëfunksionimin e shtetit të Republikës së Kosovës”, deklaroi Jeta Statovci nga Lista Guxo.
Sidoqoftë, presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës për themelimin e Asociacionit është i vazhdueshëm, porse ai duhet të jetë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës./rtk/
Vullneti: Gjesti po luan me Drilonin që të e fitojë vendin n...
Gjysmë orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, kj...
Aksidentohet autobusi me 58 persona në Norvegji, raportohet ...
Jashari, lojtari më i mirë i gjysmësezonit tek skuadra e tij
Për herë të gjashtë radhazi, Drenasi shpallet kampion në Gra...
Vriten 5 gazetarë palestinezë në Gaza, po transmetonin live ...