Google ADS

Opozita: S’do të lejojmë manipulim të presidentit me shtyrjen e zgjedhjeve

11:02 | 24 Korrik 2019
Arbresh.info

Është bërë gati një javë prejse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit, por presidenti Hashim Thaçi ende nuk ka thirrur në takim partitë politike ose koalicionin qeverisës për të diskutuar rreth mandatimit të një kandidati të ri për kryeministër.
Këtë i pari i shtetit obligohet ta bëjë sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan Gazeta ‘Zëri”.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm mbledhja ku caktohet data e zgjedhjeve të reja ka kuptim në Kosovë. Ndaj nëse presidenti nuk i shpall zgjedhjet gjatë kësaj jave, siç ka njoftuar ai, LVV-ja bashkë me LDK-në do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit.

“Nëse ne identifikojmë që presidenti po manipulon, po e keqpërdor pozitën e vet dhe po e loz skenarin e PDK-së, LVV-ja javën e ardhshme, bashkë me LDK-në, së cilës do t’i drejtohemi, do të thërrasim seancë të jashtëzakonshme për vetëshpërbërjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kjo do të ishte e vetmja mënyrë për t’ia pamundësuar presidentit çfarëdo manipulimi me shtyrjen e datës së zgjedhjeve”, ka thënë ai për ‘Zërin’.

Në këtë drejtim Konjufca ka thënë se LVV-ja bën thirrje për datë sa më të shpejtë të zgjedhjeve. Deri atëherë, siç ai është shprehur, ky subjekt nuk merr pjesë në asnjë mbledhje me presidentin për mandatar të ri të Qeverisë.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kreu i shtetit duhet të nisë konsultimet me partitë politike dhe ta caktojë sa më shpejt datën e zgjedhjeve të parakohshme.

“Obligimeve kushtetuese nuk mund t’u ikë askush, as nuk mund t’u bëjë lak. Procedurat që duhet të ndiqen për të shpallur zgjedhjet janë të qarta. Presidenti duhet detyrimisht ta kryejë obligimin kushtetues për të konsultuar partitë politike për ditën e zgjedhjeve dhe t’i shpallë ato sa më parë”, ka deklaruar ai.

I pyetur nga gazeta “Zëri” lidhur me paralajmërimin e LVV-së rreth thirrjes së një seance të jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit, Hoti, duke mos e komentuar, ka thënë se Kuvendi mund të mblidhet për ta shkarkuar presidentin, në rast se ky i fundit nuk i përfill hapat që i cakton Kushtetuta. “Nëse nuk përfillen procedurat sipas Kushtetutës, atëherë presidenti e shkel Kushtetutën.

Nëse presidenti e shkel Kushtetutën, duke mos vepruar siç parashihet në të për t’i shpallur zgjedhjet, atëherë Kuvendi mund të mblidhet për ta shkarkuar presidentin”, ka thënë Hoti për “Zërin”.

Ndërkohë, zgjedhje të reja dhe shpërndarje të Kuvendit tashmë kanë kërkuar edhe zyrtarët e Partisë Socialdemokrate.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme