Opozita për Demarkacioni: Abazoviq i hapur për diskutime, Kurti ta kryej punën e tij

12:00 | 14 Maj 2022
L G

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem.

Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, kishte deklaruar Abazoviq në lidhje me demarkacionin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, shkruan arbresh.info.

Por, që kjo deklaratë nuk po shihet si mbyllje permanente e rinegocimit së demarkacionit.
Shefi i Grupit Parlamentarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri në një përgjigjeje për arbresh.info tha se si grup parlamentarë e kanë pritur një deklaratë të tillë nga Abazoviq.

Por që sipas Tahiri, Abazoviq e theksoi vet se një gjë e tillë mund të diskutohet.

“Si grup parlamentarë si subjekt politik ne nuk kemi pritur deklaratë tjetër është shumë normale që Kryeministri i Malit të Zi ta trajtojë mbi vendimin që e ka marr Kuvendi i Malit të Zi ai e ka ratifikuar një marrëveshje dhe të deklarohet në formën si është deklarua. Unë mendoj që kryeministri Abazoviq ka thënë dy çështje që janë të rëndësishme e para ka fol për një tetakompli që është marrëveshja, në coftë se e shikojmë deklaratën e tij, ai ka thënë që ne jemi shtete fqinje dhe për çështje mund të dialogojmë, pra ai e ka lënë hapësirën e diskutimit”, tha Tahiri.

Tutje, ai tha se, Kurti duhet të ndalojë me rolin e zëdhënësit të Qeverisë së Malit të Zi, dhe t’i përmbush detyrat e veta.

“Qeveria duhet ti kryej detyrat e veta, pra kryeministri nuk duhet të bëhet zëdhënës i Qeverisë së Malit të Zi por duhet në bazë të letrës së presidentëve dhe pastaj në pikën që thuhet qartë në letër që duhet të rishikohet dhe korrektohet pika në Çakor dhe Shleb të fillojnë dialogimin”, tha ai.

Në anën tjetër analisti, Mazllum Baraliu, për arbresh.info tha se pavarësisht deklaratës së kryeministrit Abazoviq, çështja e demarkacionit duhet të diskutohet.

“Çështja atje juridikisht është mjaftë e komplikuar dhe atë komplicitet thjesht e kanë shkaktuar qeveritë e mëhershme të cilat më tepër si duket kanë pas interes qeverisjen, kulluqet sesa çështjen e demarkacionit e që është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme, madhore dhe në interes për territorin dhe sovranitetin e Kosovës kështu që nuk është kurrë vonë që të diskutohet pa marr parasysh çka ka thënë ai zotëria”, tha ai.

Tahiri, po ashtu tha se, diskutimi në mes të dy qeverive për demarkacionin është obliguese, duke mos harruar që Mali i Zi është shtet mik dhe shumë i rëndësishëm për Kosovën.

“Pra dialogu dhe diskutimi i Qeverisë së Kosovës me Qeverinë e Malit të Zi, është obliguese. Nga ajo që shoh është që deklaratat që i bën z.Kurti në këtë temë kanë më shumë aspekt politik sesa veprues. Nuk duhet të harrojmë që Mali i Zi është vend mik që na ka njoftë, anëtare e NATO-s, dhe si të tillë duhet ta trajtojmë sikurse edhe që duhet ta argumentojmë gabimet që kanë ndodh me demarkimin e kufirit”, deklaroi ai.

Sipas Baraliut, çdo marrëveshje është e diskutueshme shembull konkret tha administratën Trump.

“Marrëveshjet mund edhe të rishikohen, madje ka edhe që tërhiqen prej marrëveshjeve pasi që marrëveshjet e shkruara nuk janë Bibel dhe Kuran, ekzistojnë normal dhe praktikat ndërkombëtare që njerëzit dhe shtetet tërhiqen nga marrëveshjet p.sh kemi rastin e administratës Trump që administrata e tij u tërhoq nga dakord i klimës atje u tërhoq nga marrëveshja me Iranin e që ishte marrëveshje multilaterale u tërhoq nga marrëveshja me Kinën tregtare. Rinegocimi është çështje se si e trajtojnë shtetet nga ajo marrëveshje famshme midis dy presidentëve dhe mendoj që çdo herë duhet të ketë mes shteteve mundësi të hapura për rishikim të çështjeve të caktuara dhe për stabilizim ë marrëdhënieve më tutje”, deklaroi Baraliu.

Kujtojmë, që Kurti në përvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së demarkacionit, deklaroi se qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës, duke thënë se me ardhjen e Qeverisë së re mund të hapen rrugë për një rinegocim.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, kishte deklaruar Kurti.

Ndryshe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi është nënshkruar në vitin 2015 në Austri, e po ashtu është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy ish-presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi, Filip Vujanoviq./S.D/arbresh.info/

Të ngjashme