Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, synon që të marrë timonin e delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, por njëherësh është në kërkim edhe të krijimit të një ekipi gjithëpërfshirës.
Këtë lidership në dialog, Kurti ka deklaruar se e mbështetë në vendimin e vitit të kaluar të Gjykatës Kushtetuese, e cila ia njeh rolin kryesor në politikën e jashtme qeverisë dhe kryeministrit.
Në këtë aspekt, po shihet edhe thirrja që Kurti ia drejtoi presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u takuar dhe për ta unifikuar pozicionin e Kosovës në çështjet e rëndësishme të politikës së jashtme.
Por, Thaçi, i cili për më gjatë se një dekadë ka qenë në krye të procesit të bisedimeve, nuk i ka kthyer fare përgjigje Kurtit.
Pas dakordimit eventual me presidentin, misioni tjetër i Kurtit mbetet krijimi i një ekipi gjithëpërfshirës, me përfaqësuesit e pushtetit dhe ata të opozitës.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila nga pozicioni i pozitës, aktualisht është në opozitë, konsideron se kryeministri Albin Kurti nuk është personi adekuat, i cili mund të arrijë të formojë një ekip unifikues për dialogun politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Elmi Reçica, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kurti i ka fituar votat e qytetarëve me mashtrime duke thënë, siç shprehet ai, se nuk do të negociojë me Serbinë dhe tani, thekson ai, “duket se do të ndodhë e kundërta”.
“Unë besoj se nuk është i sinqertë, nuk ka qenë, as atëherë, as tash, i sinqertë dhe nuk besoj që është njeriu adekuat për ta unifikuar shtetin e Kosovës rreth bisedimeve me Serbinë. Do të jetë një përpjekje e dështuar dhe nuk është i sinqertë”, shprehet Reçica.
Shefi i Grupit Parlamentar të partisë tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se e para që duhet të dihet rreth vazhdimit të dialogut me Serbinë është ajo se për çka do të diskutohet. Megjithatë, Haradinaj thekson se AAK-ja do të jetë një kujdestar që do të mbrojë Kushtetutën e Kosovës dhe pavarësinë e 17 Shkurtit.
“Do të thotë, ky do të jetë qëndrimi ynë i prerë. Ndërsa, rreth dialogut, nuk mendoj se ka nevojë të ketë shumë teza të gjithanshme derisa nuk kemi diçka konkrete në tavolinë. Po shihet se kryeministri i ri i ka ndërruar shumë qëndrimet. Ka pasur shumë qëndrime radikale në të kaluarën, ndërsa tash nuk është në ato pozicione dhe ne nuk dimë se për çka do të diskutojë ai. Nuk është e qartë se me çfarë agjende do të shkohet në dialog. Nuk e ka një agjendë të qartë, nuk e kemi parë të paktën”, thotë Haradinaj.
Analisti Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në situatën politike në të cilën gjendet Kosova, ideja e kryeministrit Kurti për krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës, do të jetë vështirë e realizueshme.
“Mendoj se një nga pengesat e para është trashëgimia e këtij procesi. Sikur që dihet, kishte mospajtime shumë të mëdha gjatë mandatit të kaluar mes presidentit dhe kryeministrit [aktual] për çështjet e dialogut. Mendoj se kjo do të jetë pengesa e parë pra trashëgim nga e kaluara. Dhe, një pengesë tjetër që mendoj se do të jetë problematike për idenë e kryeministrit Kurti është qasja e tij e deritanishme”, thekson Berisha.
Ai rikujton se kur flitet për çështjen e dialogut, Kurti për një kohë të gjatë sa ishte në opozitë, mbante një qëndrim shumë të fortë kundër duke refuzuar që të jetë pjesë e ekipeve të dialogut.
“Kryeministri Kurti do ta ketë shumë të vështirë që ta implementojë një plan të tillë. Do të jetë shumë vështirë i realizueshëm dhe pres rezistencë nga presidenti dhe nga opozita e tanishme për këtë ide”, shton Berisha.
Partitë politike opozitare ia kanë kujtuar në vazhdimësi këto ditë kryeministrit Albin Kurti problemet dhe sfidat, me të cilat do të përballet qeveria e tij, duke e paralajmëruar për opozitarizëm të fuqishëm.
Dialogu Kosovë-Serbi, konsiderohet si një nga sfidat më të mëdha për Qeverinë Kurti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë veprime që paralajmërojnë përfshirjen e saj për rinisjen e dialogut dhe ndërmjetësimin për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar deri më tash nga Bashkimi Evropian, ka ngecur pasi që më 21 nëntor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, si reagim ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, si dhe bllokimin e anëtarësimit të kësaj të fundit në organizata ndërkombëtare.
Në muajin e kaluar i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, ambasadori Richard Grenell, ka vizituar Kosovën dhe ka porositur lidershipin politik dhe institucional të Kosovës që ta heqë taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, ndërkaq që Serbia të ndalë fushatën e çnjohjes së shtetit të Kosovës.
Policia del me reagim zyrtar për sulmin e kanalit të “Iber L...
Rohde: E dënojmë sulmin në Ibër Lepenc, Gjermania e gatshme ...
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...