Opozita me kritika ndaj Qeverisë për Fondin e Sigurisë| Kërkohet konsensus

07:57 | 21 Prill 2022
S D

Krijimi i Fondit të Sigurisë është një ide e vjetër ndër vite nga qeveritë e kaluara. Por, Lëvizja Vetëvendosje ia hapi rrugën këtij fondi me të ardhur në Qeveri.

Ani pse kjo u konsiderua si nevojë, opozita në Kosovë mendon ndryshe, madje këtë fond e ka quajtur edhe si popullist e të dëmshëm për ushtrinë.

Njohës të çështjeve politike euforinë e partive opozitare po e shohin korrekt për faktin se ushtria e një shteti duhet të mbahet nga vet shteti e jo nga ndihmat e të tjerëve.

Në anën tjetër njohës të çështjeve të sigurisë po e vlerësojnë këtë fond mesë të nevojshëm, vetëm se kjo nismë do duhej të ishte krijuar në Kuvendin e Kosovës nga pozitë e opozitë bashkë.

Analistja politike, Afërdita Maliqi tha se me këtë formë Kosova i ka treguar botës se as ushtrinë e vetë nuk mundet me mbajt.

“Krijimin e Fondit për Siguri nuk e kam përkrah, sepse mendoj që shteti duhet të ketë platformë për forcimin e Ushtrisë. Ushtria duhet të ketë fondin e vetë të buxhetit, që e ndan shteti, e jo të pres krijimin e fondeve dhe të varet nga humaniteti i njerëzve. Marrë parasysh, se krijimi i fondit për Siguri bëhet në një kohë delikate, kur bota po kërcënohet nga agresioni rus, dhe kështu ti jep idenë që je një Shtet që as ushtrinë tënde nuk mundesh me mbajt”, tha Maliqi për arbresh.info

Ndërkaq, njohësi i çështjeve për siguri në Kosovë, Nuredin Ibishi tha se ky fond ka qenë i nevojshëm por do ishte më mirë sikur të ishte bërë me konsensus.

“Unë e shoh të nevojshme këtë fond edhe mendoj që do të kishte qenë më e madhe po të kishte një konsensus, por mendoj që prapë ka arritur efektin edhe pse se dimë saktësisht se sa është fondi pasi që kjo prek edhe diasporën edhe brenda Kosovës dhe akoma nuk dihet se sa është bërë akumulimi, kështu që e vetmja kritikë është që kjo ka muajt  të mos jetë një nismë nga Kryeministri apo Ministri por të jetë me një listë të veçantë nga Kuvendi i Kosovës që të përfshihen edhe pozitë-opozitë e jo ti atribuohet vetëm koalicionit në pushtet”, tha Ibishi për arbresh.info

Maliqi, në anën tjetër reagimet e opozitës në lidhje me fondin i sheh si rol kundërshtues për shkak të pozitës që mbajnë si opozitë.

“Në këtë kontekst, deklarimet e opozitës lidhur me këtë fond i shoh më shumë në rolin kundërshtues nga pozita që kanë si opozitë, duke marrë parasysh edhe rrethanat në të cilat jemi si shtet. Roli i opozitës është të kundërshtojë me argumente idetë e qeverisë, për të cilat mendon se nuk janë të dobishme për vendin, por nuk do të thotë që një kundërshtim nga opozita ose ndonjë deputet i opozitë, pastaj të jetë cak i sulmeve e bullizmave nga elektorati i partisë në pushtet”, deklaroi Maliqi.

Ibishi, tutje tha se në këtë situatë ku gjendemi duhet të ketë rritje të buxhetit shtesë  dhe të ketë investime në sektorin e sigurisë.

“Unë mendojë që kjo është një nismë e qëlluar, përkundër asaj që kemi vend për ta korrigjuar atë pjesën sa i përketë buxhetit tonë pasi duhet të kemi shtesë tash kur hymë në një situatë të rrezikshme dhe duhet të kemi një rritje të buxhetit duke përfshirë edhe GDP-në, e që e ka kërkuar edhe NATO prej vendeve anëtare e që realisht do të jetë edhe prej vendeve të tjera një segment që do duhej investime pra në buxhetet e sektorit të sigurisë”, tha Ibishi.

Sipas Maliqit, partitë në pushtet duhet të adaptohen me kritikat që vijnë çoftë nga opozita, mediat apo shoqëritë civile.

“Partitë që udhëheqin me vendin duhet mu mësua t’i pranojnë kritikat edhe nga partitë opozitare, por edhe nga mediat dhe shoqëria civile”, tha Maliqi.

Ndryshe, më e zëshmja kundër krijimit të Fondit të Sigurisë është deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu e cila së fundi ka deklaruar se kjo është një dëmtim i ushtrisë së vendit.

“Mënyra se si e kanë bërë me vendim qeveritar e dëmton ushtrinë. Nuk mendoj se me një fond të tillë mund ta forcojmë ushtrinë përkundrazi do ta dëmtojmë. Me fonde që mund t’i mbledhim nga vullnetarizmi nuk e di a mund ta blejmë një tank, e lërë më një helikopter”, bëri të ditur Musliu.

Kujtojmë se krijimi i këtij fondit erdhi pas situatës së krijuar në Ukrainë nga agresioni rus, e shqetësimeve të njëpasnjëshme të shprehura thuajse në të gjitha vendet e Ballkanit dhe më gjerë./S.D/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme