Të mërkurën u publikua edhe një audio-incizim i ri, në të cilën përfshihet shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq.
Në këto incizime, Kusari-Lila dhe Radoiçiq diskutojnë çështje të rëndësishme, si kalimi i Projektligjit për Pagën Minimale dhe votimi i një kandidati për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese në qershor 2022.
Këto biseda kanë shkaktuar reagime të shumta nga opozita analistët politikë në vend.
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, në një prononcim për Arbresh.info kritikon ashpër skandalet e fundit të lidhura me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Ajo thekson se këto skandale po shndërrohen në një normalitet të papranueshëm, duke u bërë trend për këtë pushtet.
Kadrijaj përmend se nëse këto ngjarje do të kishin ndodhur në qeveritë e kaluara, do të ishin bllokuar rrugët dhe parlamenti, ndërsa tani po tolerohen pa asnjë reagim.
“Meqenëse këto skandalet e fundit janë bërë trend për LVV dhe të gjitha këto skandale që janë skandale marramendëse por nuk i bëjnë përshtypje këtij pushteti dhe po jetojmë me këto skandale duke mënuar që është një normalitet të këtyre skandaleve edhe pse po të kishin ndodhur këto skandale në qeveritë e kaluara këta do i kishin bllokuar rrugët dhe parlamentin e Kosovës ndërsa këto po i mbajnë me normalitet por edhe duke thënë që është një luftë hibride. Po shihet që ka pasur një koordinim që fare nuk i vret ndërgjegjja për këto skandale që po ju dalin ditë për ditë duke i kthyer në normalitet ndërkohë që video-inqizimet dëgjohet saktë se çfarë koordinimi ka bërë saktë Mimoza Kusari Lila”, thotë Kadriaj.
Ajo e akuzon Mimoza Kusari-Lilën për një marrëveshje të dukshme me kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se asgjë nuk ndodh në LVV pa dijeninë e tij.
“Në këtë rast z.Kurti duhet ta mbrojë shefen e grupit parlamentar të LVV – së se me aq sa u dëgjua ka qenë në dakordancë me vetë z.Kurti dhe në LVV asgjë nuk bëhet pa qenë i informuar z. Kurti, dhe tash minimizimi i tyre për këto skandale dhe aferat korruptive është skandaloz, ku po të kishin ndodhur këto skandale në një qeveri tjetër s’do të kishin lënë të funksionoj asnjë sektor duke akuzuar si për rastet e tjera ndërsa këta pa ndërgjegje. Po të më kishte ndodhur mua personalisht këto përgjime besoni që do të më vinte turp të dal në rrugë, ndërsa shefja e grupit parlamentar të LVV nuk i bëjnë përshtypje të gjitha këto përgjime edhe mendon të jetoj të jetoj sikur të mos kishte ndodhur asnjë gjë”, përfundon ajo.
Berisha: Duhet hetim i menjëhershëm
Në anën tjetër deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka kërkuar një reagim të menjëhershëm dhe të vendosur pas publikimeve të reja të bisedës telefonike mes kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Radoiçiqit.
Në një deklaratë për Arbresh.info ai thekson se situata kërkon një hetim të thellë për të zbardhur dëmin politik që i është shkaktuar Kosovës dhe qytetarëve, veçanërisht në lidhje me marrëveshjet që shkelin Kushtetutën.
“Pas publikimeve të reja të bisedës telefonike mes kryetares së Grupit Parlamentar të LVV-së dhe Radoiçiqit, mendoj se një situatë e tillë kërkon një reagim të shpejtë dhe të vendosur brenda parlamentit, deri në mos-dëgjueshmëri qytetare. Një hetim korrekt dhe i thellë është i nevojshëm për të siguruar që çdo vendim i marrë të jetë i bazuar në fakte dhe jo thjesht në perceptime, si dhe për të hetuar deri ku shkon dëmi politik i shkaktuar ndaj vendit dhe qytetarëve, me theks në dialog dhe marrëveshjet antikushtetuese e dokumentet që janë prodhuar në proces, e që përbëjnë detyrime kontraktuale ndërkombëtare për Kosovën”, thotë Berisha.
Berisha akuzoi Mimoza Kusari Lilën për koordinim me Radoiçiqin, duke vënë në dyshim etikën dhe integritetin e saj institucional.
Ai theksoi se veprimet e saj përbëjnë një shkelje të rëndë të besimit publik, sidomos në lidhje me përjashtimin e veteranëve nga Ligji për Pagën Minimale.
“Është dëshmuar tashmë, me zë e pamje, se Mimoza Kusari Lila është koordinuar me Radoiçiqin, dhe duke marrë parasysh përfitimet e tij edhe pas shpalljes në listën e zezë të SHBA-së dhe pas sulmit në Banjë, atëherë nuk ka asnjë dyshim se veprimet e saj përbëjnë një shkelje serioze të etikës dhe integritetit institucional. Është dëshmuar po ashtu akuza se ajo është koordinuar me Radoiçiqin për të eliminuar veteranët nga Ligji për Pagën Minimale, dhe kjo përbënte një shkelje të rëndë të besimit publik, me theks në moralin dhe nderin e luftëtarëve. Kjo përbën arsye të mjaftueshme për të kërkuar masa ligjore me vendim gjyqësor për mosqenie pjesë e institucioneve dhe funksioneve publike, e përcjellë edhe me largimin e saj nga Kuvendi. Kjo duhet të largohet nga pozitat publike për të shmangur çdo kompromis të mëtejshëm në dëm të integritetit politik shtetërore”, thotë Berisha.
Ai theksoi rëndësinë e transparencës dhe përgjegjësisë politike për të ruajtur besimin e publikut në institucionet e qeverisjes.
“Veprimi me masa ligjore e parlamentare justifikohet për faktin se përfaqësuesit e popullit duhet të veprojnë gjithnjë në interes të qytetarëve dhe jo në marrëveshje të fshehta që minojnë interesat e grupeve të caktuara, siç është në këtë rast kategoria më sublime, veteranët. Transparenca dhe përgjegjësia politike janë thelbësore për të ruajtur besimin e publikut në institucionet e qeverisjes. Këto publikime janë komprometim i interesave shtetërore, prandaj masat për të mbrojtur integritetin e institucioneve dhe për të ruajtur besueshmërinë e qeverisjes janë të domosdoshme. Nëse opozita ose grupet e tjera parlamentare nuk ndihen të përfaqësuara dhe të përfaqësuara ndershmërisht, çdo veprim politik ligjor do të ishte një formë legjitime presioni për të siguruar integritetin e institucioneve.
Berisha gjithashtu kërkoi që shoqëria civile të ngritë zërin ndaj këtyre veprimeve siç e quan ai kolaboracioniste, duke apeluar për padëgjueshmëri civile për të mbrojtur etikën dhe integritetin institucional.
“Po kështu, janë të arsyetuara edhe veprimet e shoqërisë civile, duke i ngritur masat popullore që ndihen të fyer nga këto veprime kolaboracioniste, që të ngrihen në padëgjueshmëri civile. Ngase veprimet e pozitës përbëjnë një shkelje serioze të etikës dhe integritetit institucional. Ndërmarrja e këtyre veprimeve ligjore e kushtetuese dhe ndërgjegjësimi qytetar për veprim janë domosdoshmëri, për të mbrojtur besimin e vetë qytetarëve ndaj përfaqësuesve të tyre dhe për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, përfundoi Berisha.
Ndryshe, Shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, i ishin publikuar më parë biseda me Radoiçiqin, por ajo nuk kishte dhënë asnjë deklaratë në lidhje me këtë rast.
Milan Radoiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë në vitin 2024, gjatë të cilit u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Prokuroria Speciale ka ngritur një aktakuzë ndaj tij për këtë sulm, megjithatë Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë dhe po mbron veten në Serbi./Arbresh.info/Edona Krasniqi/
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën