Ndonëse koalicioni qeverisës zyrtarisht ka vetëm 56 ulëse në Kuvend, por kjo nuk po i bën fare problem kryeministrit, Ramush Haradinaj për të qeverisur me vendin.
Kjo pasi që partitë opozitare nuk po arrijnë të koordinohen mes tyre për të mbikëqyrur sa duhet punën e ekzekutivit. Një gjë të tillë e thotë për arbëresh.info edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Ajo thotë se opozita duhet të jetë më këmbëngulëse në punën e saj.
“Jo opozita nuk po bën sa duhet opozitarizëm. Partitë opozitare duhet të jenë më këmbëngulëse. Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë qëndron prapa parimeve të saj dhe mbron me të gjitha mjetet e mundshme Republikën e Kosovës dhe të ardhmen e saj”, deklaron Pacolli për arbëresh.info.
Por sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje duhet të përkrahet më shumë nga LDK-ja dhe Partia Social Demokrate e Shpend Ahmetit. “Mirëpo nga partitë opozitare të tjera nuk kemi parë që të jenë të zëshme kundër qeverisë dhe kundër presidentit që pa e pyetur fare askënd po shkon në Bruksel për tu takuar më Vuçiqin. Pra, ne duhet të jemi më të zëshëm dhe t’i kundërshtojmë proceset e dëmshme”, shtoi ajo.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë vikendit takoi homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. I pari vendit nuk kishte mandat për ta bërë një gjë të tillë.
Kjo pasi që Qeveria Haradinaj tërhoqi nga kuvendi platformën për bisedimet finale me Serbinë me arsyetimin se ajo duhet të plotësohet në mënyrë që të përkrahet nga të gjitha partitë politike në Kuvend.
Por, mos miratimi i këtij dokumenti nuk e ka penguar fare presidentin që ai të shkojë në Bruksel për tu ulur në një tryezë me Vuçin me duar bosh para tij.
Dallimet ideologjike dhe mos komunikimi i partive opozitare
Për mos bashkërendim të opozitës karshi ekzekutivit flet edhe deputeti i Nisma Social Demokrate, Enver Hoti. Madje, ai thotë opozita e ka humbur betejën e saj për kauzat e ndryshme politike.
“Opozita është një opozitë zhurmuese, e cila ka humbur në temat për të cilat janë me interes për vendin dhe qytetarët”, thotë Hoti për arbëresh.info.
Nga ana tjetër, publicisti Fadil Lepaja e sheh opozitën të pasuksesshme për shkak të dallimeve ideologjike mes tyre.
“Kemi të bëjmë me një opozitë, me dallime serioze ideologjike, dhe me komunikim të dobët mes vete, aq më tepër që kemi një histori mospajtimesh e luftërash për pushtet në nivel lokal, dhe mbi të gjitha kemi mos durime personale mes udhëheqësve të dy partive më të mëdha opozitare”, thotë Lepaja.
Ai shtoi se duke u bazuar në gjendjen aktuale të partive opozitare, nuk mund të pritet ndonjë entuziazëm për të bashkuar forcat në një program antiqeveritar apo kundër bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Partitë opozitare gjatë gjithë këtij mandati kanë shfaqur qëndrime të ndryshme sa i përket miratimit të projektligjeve dhe temave të ndryshme. Për miratimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, Lëvizja Vetëvendosje ishte kundër. Kurse, LDK-ja ishte pro saj miratimit, pasi që ajo ishte nënshkruar gjatë kohës së Qeverisë që udhëhiqej nga Isa Mustafa.
Një divergjencë të tillë opozita po e shpreh edhe sa i përket mbledhjes së nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, pasi pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni, ekzekutivi nuk e ka as shumicën minimale prej 61 vetave për të qeverisur.
Ndryshe, vetëm LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Social Demokrate kanë 58 deputet në Kuvend. Asaj i mungojnë vetëm tri vota për të rrëzuar Qeverinë./Arbresh.info
OKB thirrje urgjente për ndihma në spitalet në veri të Gazës
Të dhënat e fundit, kjo është situata nëpër pikat kufitare
Një drerë në shtëpi, Gjesti e Leo i hipin përmbi
Parashikimi i motit në Shqipëri
Man United i gatshëm të paguajë 180 milionë euro për tre loj...
Ganimete Musliu sot mban konferencë, s’tregon arsyen