Projektligji për Pagat në sektorin publik, i cili shumë shpejt pritet të dalë në dëgjim publik, duhet të miratohet pa vonesa në Kuvend.
Kështu thonë nga opozita dhe shoqëria civile. Miratimi i Ligjit për Pagat do të mundë të ndikonte në ndalimin e grevave. Por, para se të ndodhë kjo, është e nevojshme edhe një marrëveshje ndërmjet qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që greva të ndërpritet dhe kërkesat e sindikatave të plotësohen sipas mundësive.
Për grevën e përgjithshme të filluar më 25 gusht, të cilës i është përgjigjur sektori i arsimit fillor e i mesëm dhe një pjesë e administratës publike, Kuvendi i Kosovës do të mbajë debat parlamentar më 15 shtator. Kështu u vendos të hënën, në mbledhjen e Kryeses së Kuvendit, pas kërkesë së PDK-së. Ndërkohë, pas takimit të Kryesisë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, përsëriti se Ligji i Pagave në Sektorin Publik duhet të miratohet pa vonesa, në mënyrë që zbatimi i tij të nisë nga janari i vitit 2023, e grevat të ndërpriten.
Në kohën kur vendi po përballet me greva, shqyrtimi dhe miratimi i projektligjit për pagat duhet të ndodhë sa më parë, thotë për Radio Kosovën Mexhide Demolli – Nimani, nga Lëvizja “Fol”.
“Patjetër se është mese e nevojshme që projektligji për pagat të procedohet sa më parë në Kuvend. Mirëpo, të gjithë jemi të vetëdijshëm se janë afatet kohore ato që na tregojnë që edhe për disa muaj, projektligji nuk do të mundë të kalojë në Kuvend. Kështu që, nuk pres që për një kohë të shkurtër të kemi miratimin e këtij ligji, pa marrë parasysh vullnetit që mund të ekzistojë”, tha Demolli .
Edhe juristi Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, pohon se projektligji për pagat, i cili akoma nuk është as në diskutim publik, duhet miratuar pa vonesa. Por, para miratimit të ligjit, Miftaraj thotë se është shumë i nevojshëm një dakordim ndërmjet qeverisë dhe sindikatave, në mënyrë që greva të ndërpritet.
“Fatkeqësisht kemi hyrë në javën e tretë kur fëmijët nuk janë duke shkuar në shkolla, duke iu mohuar një e drejtë fundamentale kushtetuese. Përveç kësaj, edhe një pjesë e administratës është e paralizuar. Ligji i Pagave, ashtu siç është paraparë pothuajse është e pamundur të hyjë në fuqi para një viti. Në këtë situatë duhet që sa më parë të gjendet një marrëveshje, e pranuar nga dy palët dhe është në kuadër të asaj që e lejon buxheti”, tha Miftaraj.
Projektligji për paga përcakton dhe rregullon sistemin e pagave për të gjithë të punësuarit që paguhen nga buxheti i Kosovës. Një ligj të pagave Kosova e kishte miratuar edhe në shkurt të vitit 2019, por, para se të niste zbatimi i tij, pas një kërkese të Institucionit të Avokatit të Popullit, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se Ligji nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe diskriminonte një pjesë të të punësuarve./RTK/
OBSH ngre alarmin: Rriten me mbi 200% rastet e fruthit në Ev...
Rrahjet e zemrës nga kafja – A duhet të shqetësoheni?
Pse Xheneta nuk mund të bëjë debate pa ofendime? Ja arsyetim...
Vinicius Junior ka humbur penalltinë ndaj Venezuelës
Si e kupton paracetamoli ku është dhimbja?
FBI zbulon një përpjekje të gjerë për spiunazh nga hakerat k...