Google ADS

Opozita e braktis edhe Komisionin, s’voton asgjë deri në themelimin e Komisionit Hetimor

11:02 | 20 Prill 2022
A Z

Debati pozitë e opozitë për çështjen e Komisionit Hetimor ka vazhduar edhe në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Derisa në rend dite ka qenë shqyrtimi i Projektligjit për Policinë Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputetët e opozitës kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në votime deri në formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e menaxhimit të krizës energjetike.

Deputeti i LDK, Driton Selmanaj, ka thënë se nuk do të marrin pjesë në votim derisa të themelohet Komisioni Hetimor. Ai ka thënë se mund të bëhen pjesë e diskutimeve por jo edhe të votimeve.

“Për LDK është e papranueshme sjella e pozitës ndaj opozitës. Konstruktiviteti ynë po përkthehet në arrogancë ndaj nesh. Ne nuk do të marrim pjesë në asnjë votim dhe çështje që trajtohet në komision përderisa nuk themelohet Komisioni Hetimor. Ne mund të marrim pjesë në diskutime por jo në votim. Si qëllim për të zbardhur gjithçka që ka ndodhur si proces”, tha Selmanaj.

Njëjtë mendon edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra. Ajo ka thënë se sjellja e mazhorancës karshi opozitës nuk është e drejtë.

As PDK nuk do të jetë pjesë e votimeve të asnjë projektligji derisa nuk themelohet Komisioni Hetimor që do të bënte dritë mbi keqpërdorimet në blerjen e energjisë. Nuk do të jemi pjesë e asnjë votimi. Kjo sjellje e mazhorancës nuk është e drejtë ndaj nesh si opozitë. Për hir të korrektësisë bllokimi ka filluar në kuvend. Opozita ka votuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe si deputete nuk njoh opozitë që ka funksionu si kjo e sotmja. Nuk jemi ne që kemi bllokuar punën e institucionit. Mazhoranca duhet ta largojë këtë arrogancë. T’i hapni mundësi këtij komisioni të kryejë punën e vet”, tha ajo.

Se nuk do ta votojnë asnjë marrëveshje e tha edhe shefi i deputetëve të AAK, Besnik Tahiri. Ai kërkoi sqarime nga VV-ja se përse mos të bëhet një hetim parlamentar kur kjo parti janë që një vjet në pushtet.

“Jemi në situatë jo të mirë në parlament që rezultoi në mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Këtë shqetësim e kemi ngritur por arroganca e numrave politike numrat dhe koncepti krejt drejt bie ndonjëherë ngushtë dhe u kundërshtua një hetim parlamentar. Këtu janë dy probleme serioze pse mos me ndodh hetim parlamentar kur këta janë vetëm një vit në pushtet. Ne nuk do të votojmë derisa nuk ka zgjidhje për komisionin hetimor”, u shpreh Tahiri.

E deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, njoftoi se kjo mbledhje ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Ne jemi përfaqësues në komision të rëndësishme. Më vjen keq që nuk mund ta mbajmë mbledhjen. Çdo mundësi ligjore dhe kushtetuese do të jetësohet me norma të rregullta. S’ka kuorum nuk mund të bëjmë debat. Përmbushni kushtet ligjore kushtetuese. Nuk ka asgjë për t’u fshehur dhe po i’u inkurajojë për të gjitha instancat ligjore”, tha Rrustemi./eo

Të ngjashme