Google ADS

Opozita “dështon” të thërrasë seancën para vendimit për heqjen e taksës

08:02 | 22 Shkurt 2020
Arbresh.info

Opozita e legjislaturës së VII duket se nuk po mund ta dërgoj deri në fund një kauzë që e ka nisur.

Bëhet fjalë për kërkesën e partisë së dytë më të madhe opozitare AAK.

Ishte deputeti i saj, Pal Lekaj, që paralajmëroi mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë në të cilën do të diskutohet heqja ose jo e tarifës ndaj Serbisë e paralajmëruar nga kryeministri, Albin Kurti.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se një javë që nga ky paralajmërim nënshkrimet duket se ende nuk janë mbledhur.

Të premten deputet e AAK-së nuk kanë dashur të flasin.

Pal Lekaj, Shkumbin Demaliaj e Rasim Selmanaj, nuk e kanë hapur telefonin, ndërsa arbresh.info ka kontaktuar me zyrën e AAK-së, por që nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen në lidhje me këtë çështje.

Është deputeti i NISMA-s, Haxhi Shala ai që ka konfirmuar për arbresh.info, se deputetët e kësaj partie  i kanë dhënë nënshkrimet e duhura por që nuk kanë informacione për partitë e tjera opozitare.

Shala shton se përmes kësaj seance nuk presin të ndalin mos heqjen e tarifës, por të paktën qytetarët të informohen rreth efekteve dhe kundër efekteve të tarifës.

“Ne edhe si opozitë edhe si parlament nuk mund ta ndalim heqjen e taksës pasi që për këtë vendos Qeveria e Kosovës. Por, ne do të duhet të mbajmë seancë për efektet që i ka tarifa”.

E ndryshe me nënshkrimet qëndron partia më e madhe opozitare PDK-ja.

Zëdhënësi i kësaj partie Bashmir Xhemaj për arbresh.info ka konfirmuar se disa nga  deputetët e PDK-së kanë filluar të japin nënshkrimet për këtë seancë, por që sipas tij një pjesë e deputetëve janë jashtë Kosovë.

“Nënshkrimet janë në dhënie e sipër pasi që disa deputete nuk gjenden në Prishtinë dhe ata që janë fizikisht në Prishtinë i kanë dhënë. Pritet që edhe tjerët t’i japin në ditët në vazhdim”.

E derisa partitë opozitare të mblidhen dhe të thërrasin seancën për të diskutuar rreth kësaj teme, ryeministri i ri Albin Kurti pritet të bëjë hapin përfundimtarë.

Të hënën sipas  burimeve të arbresh.info brenda Vetëvendosjes, Kurti priet të bëjë publike vendimin për heqjen e tarifës ndaj produkteve serbe.

Krejt ky vendim do të vijë pas insistimit të Amerikës thotë po i njëjti burim.

Kujtojmë se tarifa ndaj produkteve serbe ishte vendosur në kohën e qeverisjes së, Ramush Haradainaj dhe si pasoj e këtij vendimi dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë tash e dy vite./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme