Për deputetët e tri partive opozitare, kërkesa zyrtarëve të Brukselit që bisedimet finale me Serbinë t’i udhëheq presidenti i vendit, Hashim Thaçi është e paarsyeshme. Reagimi i tyre vjen pasi që në media u raportua se Bashkimi Evropian po kërkon që mos të ndryshohet formati i bisedimeve me Serbinë.
Javën e kaluar, i pari i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq u takuan në Bruksel për të biseduar lidhur me fillimin e negociatave përfundimtare që synon arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare dhe ligjërisht të zbatueshme në mes të dy vendeve.
Por, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Social Demokrate, presidenti nuk ka mandat për të përfaqësuar Kosovën në Bruksel pa u miratua paraprakisht një dokument në Kuvend.
Qeveria e Kosovës javë më parë hoqi nga Kuvendi Platformën për bisedimet finale me Serbinë, për faktin se ajo e autorizonte të parin e vendit për t’i udhëhequr këto bisedime.
Delegacionin e bisedimeve duhet të caktojë Kuvendi
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj në një prononcim për arbëresh. Info thotë se Brukseli zyrtarisht nuk ka një qëndrim zyrtar për formatin e bisedimeve të Kosovës. “Nga ajo që kemi parë apo që kemi dëgjuar, ky lajm nuk është qëndrim zyrtar. Ai është apostrofim nga një agjenci dhe përderisa nuk ka një qëndrim zyrtar në formatin e bisedimeve, atëherë u mbetet institucioneve të Republikës së Kosovës që të japin një qartësi lidhur me këtë”, thotë Zemaj.
Sipas tij, opozita po kërkon që negociata të udhëhiqen nga njerëz kredibil dhe procesi të bëhet në mënyrë transparente.
“Insistimi i opozitës në vazhdimësi ka qenë dhe vazhdon të jetë se njerëzit që e udhëheqin dialogun duhet të kenë kredibilitet dhe besueshmëri. Mbi të gjitha të arrijnë që të krijohet një konsensus politik sa i përket temave, por jo që të shkohet kështu në fshehtësi dhe paqartësi të institucionit të Kosovës karshi dialogut”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi thotë se nuk duhet të ndërhyjë askush tek shteti i Kosovës për t’i kërkua se kush duhet të jetë personi që do t’i udhëheq bisedimet.
“Kjo është një ndërhyrje e padrejtë e Brukselit apo kujtdo qoftë, sepse delegacionin e cakton shteti si palë në bisedime, por jo të tjerët t’ia përshtatin njerëzit të cilët janë të dëgjueshëm. Në këtë rast për mua ajo që kërkohet nga Brukseli është krejt e paarsyeshme, madje e papranueshme”, tha Kurteshi për arbëresh.info.
Mandati për bisedimet duhet të jepet nga Kuvendi
Kundër, deklaratave të zyrtarëve të Brukselit lidhur me formatin e bisedimeve, po del edhe Partia Socialdemokrate e Kosovës. “Së pari duhet ta kemi parasysh që ky dialog ose do të jetë vazhdimësi ose do të jetë një dialog që do të ketë një format të ri, me qenë se po flasim për një fazë që po thuhet përfundimtare. Ne e kemi ende në fuqi rezolutën e Kuvendit në të cilën mandatohet kryeministri i Republikës së Kosovës që t’i udhëheq negociatat në Bruksel. Siç e dini prej vitit 2012, e tutje, kanë qenë kryeministrat ata që i kanë drejtuar këto negociata. Fillimisht ishte zoti Hashim Thaçi si kryeministër e më pas zoti Isa Mustafa si kryeministër”, tha Ymeri për “Arbresh.info.
“Pra nëse nuk ndryshon formati i bisedimeve, është kryeministri ai që duhet t’i udhëheq këto bisedime”. Ymeri thotë se për këtë çështje duhet fjalën përfundimtare duhet ta jap institucioni i Kuvendit të Kosovës.
“Meqë po flasim për një proces për të cilin nuk kemi rregullim as kushtetuese e as institucionale, sepse dialogu me Serbinë nuk është një prej proceseve të rregullta të politikës së jashtme, por ka brenda vetes një jashtëzakonshmëri, natyrisht që kjo kërkon një vendim të jashtëzakonshëm nga institucioni i Republikës që po e propozojmë ne. Pra nuk ka asnjë institucion aktualisht në Republikën e Kosovës që e ka tashmë mandatin për të negociuar me Serbinë në Bruksel, dhe ky mandat duhet të jepet nga Kuvendi”, shtoi ai.
Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi gjatë raportimit para qeverisë paralajmëroi se ai do t’i bëj ftesë të gjitha partive politike që të krijojnë një ekip uniteti për bisedimet finale. Sa i përket takimit të tij të fundit me Vuçiqin në Bruksel, ai tha se ky është bërë më shumë për të caktuar formatin e bisedimeve se sa përmbajtjen e tyre./Arbresh.info
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...
Kurti e kandidatët për deputet organizojnë pritje për mërgim...