Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar gjatë ditës së mërkurë dhe të enjten, pikërisht në datat 5 dhe 6 shkurt të këtij viti, dy hetuesit e krimeve ekonomike, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit dhe korrupsion.
Aksioni ka vazhduar edhe ditën e enjte me 6 shkurt, ku nën pranga është vënë edhe një zyrtar i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Policia e Kosovës, po ashtu ka arrestuar edhe një qytetar nga Kaçaniku, L.B (emër i njohur për redaksinë), i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë korrupsioni për të cilën janë arrestuar edhe tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe një zyrtar i Ministrisë së punëve të Brendshme.
Inspektorati Policor i Kosovës këtë operacion e ka emëruar si “Ryshfeti”.
Gjithashtu, Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje për aksionin “Ryshfeti”, i cili të mërkurën çoi në mbajtje dy zyrtarë të policisë.
“Për shkak të integritetit të procesit hetimor në këtë fazë nuk mund të shpalosen detaje shtesë rreth këtij rasti. Për detaje tjera ju lutem i referoheni komunikatës si në vijim:
“Inspektorati Policor i Kosovës kishte pranuar informacione përmes rrugëve operative se dy të dyshuar (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) mund të jenë të përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative duke përfshirë edhe masat e fshehta të hetimit ndaj dy zyrtarëve policorë dhe një qytetari.
Bazuar në dëshmitë dhe provat e mbledhura si dhe bazuar në urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, mbrëmë në Prishtinë është realizuar operacioni koduar me emrin “Ryshfeti” i cili rezultoi me arrestimin në flagrancë të një zyrtari policor dhe një qytetari.
Zyrtari policor me inicialet L.O (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) është arrestuar nga hetuesit e IPK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni “Ryshfeti” ka vazhduar me bastisje në dy lokacione të ndryshme (një në Prishtinë dhe tjetri në Vushtrri) ku janë gjetur prova të konsiderueshme dhe është arrestuar edhe i dyshuari tjetër – zyrtari policor me inicialet L.M (rreshter policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit).
Rreshteri policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”.
Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në komunikatën e saj.
Ndryshe, Drejtori i Krimeve Ekonomike, Bashkim Spahiu, ditën e enjte në një konferencë të jashtëzakonshme për media, konfirmuar se ka lidhje familjare me njërin prej hetuesve policor i cili është arrestuar mbrëmë nga Inspektorati Policor i Kosovës pas aksionit të titulluar si “Ryshfeti”.
Spahiu ka thënë se babai i tij dhe babai i hetuesit të arrestuar janë tezakë.
“Është e vërtetë se me hetuesin e krimeve ekonomike kam një relacion familjar. Prindërit tanë janë tezakë. Kjo nuk e zbeh qasjen time e as të stafit mbikëqyrës që me i hetuar rastet “, ka thënë Spahiu.
Drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj: Arrestime e këtyre ditëve nuk janë assesi sukses i kësaj qeveri
Ai thotë për arbresh.info se, IPK udhëhiqet nga një person me integritet të kontestuar, më një të kaluar jo të pastër.
“Arrestimet e këtyre nuk janë assesi sukses i kësaj qeverie, janë më shumë përpjekje të dëshpëruara të IPK-së, për të treguar se janë për të luftuar krimin. IPK udhëhiqet nga një person me integritet të kontestuar, më një të kaluar jo të pastër. Ende ne kemi në mendje rastin kur shefja e IPK-së, dyshohet së ka punësuar zyrtarë në IPK, si dhuratë për ditëlindje. Andaj, pa paragjykuar arrestimet e zyrtarëve policor dhe suksesin në këtë rast e kaluara e zymtë e IPK-së dhe menaxhmentit të saj nuk mund të krenohet me rezultatet e këtij rasti por duhet të jap përgjegjësi dhe llogaridhënie për shumë raste tjera që kanë dal në publik në të cilat kanë zbatuar drejtësinë në mënyrë selektive dhe duke ofruar në raste të caktuara edhe amnisti për zyrtarë të lartë policor”, ka thënë drejtori i IKD-së, Miftaraj.
Drejtori për Siguri në Institutin për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, komenton arrestimet e fundit të zyrtarëve policorë.
“Arrestimet e fundit të zyrtarëve policor të Kosovës si nga ana e IPK dhe PK, apo dualizmi mes këtyre dy institucioneve, edhe njëherë shpërfaqë brishtësinë e institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë. Ne si IKSN dyshojmë se ky fenomen i korrupsionit është shumë i përhapur në shumë institucione të ndryshme, sidomos në Polici, Prokurori dhe Gjykata, por është aq mirë i organizuar as që qytetarët apo të dëmtuarit e kanë problem të argumentojnë atë, e sidomos kur merret parasysh presioni se nëse të mund të provohet e njëjta, atëherë denoncuesit do të ndjekeni nën akuzën e kallëzimit të rreme”, ka thënë Elezi.
Ai shtoi se, veprimet e fundit janë si rrjedhojë e qeverisë së re.
“Veprimet e fundit sigurisht janë si rrjedhojë e ardhjes së qeverise së re dhe kështu një performancë e cila të bënë të besosh se mund të kemi edhe aktivitete të tjera në këtë drejtim. IKSN mendon se fokusi në të ardhmen duhet të jetë në “Njësinë e Inteligjencës Financiare”, pastaj në ATK, njësia për krime ekonomike, e më pas në Policinë e Kosovës, drejtoria për krime ekonomike dhe Prokuroria e shtetit, si dhe Gjykatat, sepse ka dyshime se të gjitha këto institucione në bashkëveprim kanë targetuar biznese të cilat mund të i kanë zhvatur në emër të mbylljeve të rasteve të tilla, por më të shumta raste besohet se janë në trekëndëshin ATK-Policia e Kosovës-Prokurori. Ne dëshirojmë që qeveria e re të fokusohet kryesisht në kthimin e normalitetit në institucionet e lartpërmendura”, ka shtuar ai./E.Ballazhi/Arbresh.info
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?