OJQ Koha: Pjesëmarrja e zyrtarëve komunalë të Klinës në debate publike, e ulët

09:51 | 28 Mars 2017
Arbresh.info

Komuna e Klinës me date 15, Mars 2017 ka mbajtur takimin e radhës me publikun për të diskutuar Ndryshimet dhe Plotësimet e Rregullores Komunale për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale.

Sipas OJQ-së ‘Koha”, edhe përkundër faktit që numri i qytetarëve në debatet dhe takimet me publikun ka filluar të rritet, krahasuar me vitet paraprake ku prania përbëhej në masë të madhe nga nëpunësit e Komunës, Komunës së Klinës i mbetet ende vend për të punuar në mënyrë që kjo pjesëmarrje të jetë më e lartë.

“Në takimin e fundit të organizuar nga Komuna pjesëmarrja ka qenë e ulët, duke parë vetëm 10 qytetarë të pranishëm në takim. Gjithashtu, edhe pjesëmarrja e zyrtarëve të Ekzekutivit Komunal ka qenë e ulët me gjithsej praninë e vetëm dy drejtorëve. Në këtë sferë nuk qëndron mirë as edhe Legjislativi i Komunës ku nga 27 këshilltarë vetëm dy ishin të pranishëm, gjegjësisht Kryesuesi i Kuvendit Komunal, z.Haxhi Ibishi, i cili udhëhiqte debatin dhe këshilltari nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje z.Skender Meturi. Pjesa tjetër e pjesëmarrjes në këtë takim, gjithsej tetë, ishin nëpunës të ndryshëm të Komunës së Klinës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga OJQ “Koha”.

Kjo organiztatë thekson se propozimet për Ndryshimet dhe Plotësimet e Rregullores Komunale për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba komunale u paraqitën nga nëpunësit e Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim dhe jo nga drejtori i kësaj drejtorie i cili mungonte në debat.

OJQ KOHA, në kuadër të projektit “Politika Publike me Pjesëmarrje Aktive të Publikut”, të financuar nga Bashkimi Evropian, të menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe të zbatuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, ka filluar monitorimin e takimeve dhe debateve me publikun të thirrura nga Kuvendi i Komunës së Klinës. Sipas të dhënave të organizatës KOHA, Komuna e Klinës, nga muaji Tetor 2016 kur ka filluar zbatimi i projektit dhe gjer në muajin Mars 2017 ka organizuar tre debate dhe një takim me publikun. Pjesëmarrja e qytetarëve në këto debate dhe takime ka qenë gjithsej 80, kurse nga Ekzekutivi i Komunës, gjegjësisht drejtorët e drejtorive mesatarja e pjesëmarrjes ka qenë tre drejtorë për takim.

“Më së keqi qëndrojnë këshilltarët e Kuvendit Komunal pjesëmarrja e të cilëve ka qenë thuajse e barabartë me zero”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme