Pushimi i “ëndrrave” për disa kosovarë që këtë vit kanë marrë rrugën bregdeteve në Shqipëri nuk përfundojnë si të tilla. Madje disa prej tyre që janë ankuar tek redaksia e Insajderit deklarohen se janë penduar që u bënë pjesë e ofertave të kompanive kosovare turistike. Një ditë pa ushqim, një ditë në rrugë dhe pritjet e gjatë për t’u vendosur në hotel janë disa nga ankesat e disa qytetarëve.
Ishte menduar se gjithçka do të shkonte sipas planit, kur autobusi nga Prishtina ishte nisur në ora 22:01 me turistë nga Kosova për t’i dërguar në Vlorë, Dhërmi, Jalë, Sarandë dhe Ksamil. Kompania SabaGrup ishte dukur mjaft serioze kur për rahatinë e udhëtarëve me të kaluar kufirin e Kosovës kishte fikur dritat brenda autobusit. Kësisoj që turistët kosovarë të pushojnë gjatë rrugës për në bregdetin shqiptar.
Rahatia për turistët kosovarë pas 10 orëve rrugë ishte prishur momentin kur kishin zbritur në destinacionet e tyre. Disa turistë për Insajderin e kanë përshkruar si “torturë” momentin kur kanë mbërritur në destinacion, raporton Insajderi.
Njëri prej tyre ka thënë se pavarësisht se rezervimin e kanë bërë ditë më parë, ata nuk janë vendosur në hotelin që ishte prezantuar në reklamën në Facebook. Sipas tyre, ata janë vendosur në hotele tjera të cilësive më të ulëta dhe më të largët
“Me të zbritur e pamë që në të vërtetë nuk kishte pasur organizim. Pas 10 orëve udhëtim kishim nevojë për pushim, por aty e pamë që as hotelet nuk kishin qenë të rezervuara as asgjë. Kur shkuam ne atëherë na pyetshin sa kemi me qëndruar. Në ora 7 kemi mbërri deri në ora 10 diku s’kemi mundur mu fut në të hotel, plus që në hotelin që ne kishim rezervuar aty nuk u fut askush. Na vendosën në disa hotele më të largëta”, ka thënë njëri nga turistët kosovarë të cilët nuk kanë dashur të identifikohen.
Turistët kosovarë kanë thënë se menjëherë pasi që kanë zbritur nga autobusi janë lënë të presin afër njërit nga hotelet ku poshtë saj ishte një restorant dhe një kishë ungjillore.
“Unë dhe bashkëshortja ime jemi befasuar kur kemi mbetur me orë të tëra duke pritur para një hoteli ku në një objekt ishte edhe një kishë ungjillore. Aty ka pasur edhe një restorant, por nuk e kemi ditur se ku do të vendoseshim në kishë apo në një hotel, por na dërguan në një hotel tjetër që nuk i plotësonte aspak kushtet për çfarë unë kam paguar”, ka thënë turisti V.Z për Insajderin.
Megjithatë nga ‘Kompleksi Gjilani’ që kishte marrëveshje me disa kompani turistike për akomodimin e turisteve, kanë pranuar se në një objekt ku është i vendosur njëri prej hoteleve të tyre është një zyre e kishës ungjillore, por që thonë se në këtë sezonin e verës nuk është funksionale.
“Aty është një hotel nuk është kishë, por është një zyre e kishës për fëmijë që luajnë në piano. Aty janë lokalet poashtu ndër hotel ku ka parkingje, ka restorante, ka objekte të teknikës së bardhë ku mes tyre është edhe ai objekt ku luajnë fëmijët me piano. Ky objekt nuk i ka penguar askujt për shkak se hyrja është e ndarë dhe për më shumë ata [fëmijët] tash nuk luajnë piano për shkak se janë në pushim dhe tash është jofunksionale”, kanë deklaruar nga “Kompleksi Gjilani”.
Një ditë në rrugë, pa ushqim dhe pa çadra të plazhit
Turistët nga Kosova kanë deklaruar se janë ndier të mashtruar nga oferta për të cilën ata kishin paguar. Disa prej turistëve që kishin paguar qëndrimin për 5 net e 6 ditë thonë se kishin mbetur pa ushqim dhe pa çadër plazhi në ditën e fundit të tyre si vizitorë.
“Unë kam paguar ofertën për 5 ditë dhe 6 net, por kuponët për ushqim dhe për çadër ishin vetëm ka pesë copa që i binte se na një ditë do të duhej të paguanim përsëri edhe pse unë njëherë veç kisha paguar përmes ofertës së SabaGrupit”, thotë njëri nga vizitorët.
Megjithatë “Kompleksi Gjilani” për Insajderin sqaron se marrëveshjet me kompanitë që transportojnë udhëtarët kanë në atë formë që ushqimi dhe çadrat e plazhit jepen vetëm për netët që kalohen aty dhe jo edhe për ditët, shkruan Insajderi.
“Tek puna e ushqimit për shembull kanë ardhur me një ofertë 5 net e gjashtë ditë, tash kur vinë turistet tek ne po vinë në ora 7 të mëngjesit, ndërsa tek ne vakti i ushqimit për ta fillon me darkë dhe jo me mëngjes. Iu takojnë pesë ushqime të mëngjesit, pesë darka dhe pesë çadra për plazh për shkak se llogariten netët dhe jo ditët. Ofertë të tillë punojmë me të gjitha kompanitë dhe jo vetëm me SabaGrupin kështu që ky organizim nuk është i joni për ne vetëm bëjmë akomodimin si kompleks që posedon gjashtë hotele”, kanë deklaruar për Insajderin nga “Kompleksi Gjilani”.
Ndërkohë që kompania turistike “SabaGrup” e quan keqkuptim të klientëve, mbetjen e turistëve pa ushqim, pa çadra dhe largimin nga hoteli në ora 9 të mëngjesit.
“Ne kemi paketa shembull 2 net e tre dite në Sarandë e Ksamil me çmim 60 euro mëngjesi, darka udhëtimi. Ne hotele apo apartamentet ku do tjetër nëse paguan dy net ke me marre dy net shërbim këta kërkojnë tre mëngjesa që nuk është e përfshirë tre mëngjese sepse nuk i ka paguar tre net.
“Fatkeqësisht linjat arrijnë në mëngjes dhe klienti që ka bërë ankesë ka menduar apo ka pasur dëshirë me i pas në ofertë që ne nuk i kemi të prezantuara”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga kompania që ka prezantuar ofertën SabaGrup.
Turistët kosovarë që kanë vizituar Ksamilin thonë se ndihen të mashtruar edhe me çështjen e çadrave të plazheve. Një vizitor i ka thënë Insajderit se disa ditë kishte qëndruar në një plazh dhe për disa të tjera ishte zhvendosur në një plazh tjetër më të largët dhe me cilësi më të dobët. Thotë se nuk i kishte pëlqyer dhe ditëve tjera kishte paguar për të shkuar në plazhe të tjera.
“Në fillim kur shkuam na vendosën në një plazh që ishte më e afërt dhe ishte realisht shumë e mirë. Pastaj pas nja dy dite një punëtorë na tha që këtu nuk kemi më marrëveshje por duhet të zhvendoseni në një plazh tjetër që ishte diku më larg dhe ishte plazh shumë të keqe. Normalisht përveç një dite më nuk kam shkuar atje për shkak se ishte e keqe me gurë dhe uji ishte i papastër”, ka deklaruar një vizitor tjetër mbi 50 vjeçar.
Një shpjegim krejt tjetër e japin nga “Kompleksi Gjilani”, ata thonë se kompleksi i tyre posedon dy plazhe dhe se turistët kosovarë mund të vendosin se në cilën duan të shkojnë.
“Janë dy plazhe, njëra afër hoteleve dhe një tjetër me ushqim të Kosovës. Një plazh është internacional dhe një tjetër është vetëm me ushqim të Kosovës nuk përzihen mishrat e tjerë, njëri është më afër tjetri është më larg nja 100 metra. Dhe ne i kemi pyetur se në cilin po duan të shkojnë dhe ata kanë mundur me zgjedhë”, ka thënë përfaqësuesi i kompleksit.
Mos përputhje me deklaratat nuk janë vetëm mes klientëve dhe dy kompanive. Në çështjen e çadrave mospërputhje mes deklaratave për Insajderin ka edhe “Kompleksi Gjilani” me kompanisë “SabaGrup”.
“SabaGrup” nuk thotë se klientët kanë mundur ta zgjedhin plazhin. Ata thonë se njëri nga plazhet ka mundur të jetë i zënë dhe për këtë arsyeja janë dërguar në plazhin tjetër.
“Duke pasur parasysh që ne kemi pasur oferta të mira dhe të lira që e kanë shfrytëzuar klientët tanë ka pasur një kërkesë me e madhe dhe janë plotësuar vendet edhe ne plazh dhe nuk kane pasur ndoshta mundësi me gjetur vendin e njëjtë çdo dite po kanë pasur mundësi me e shfrytëzuar plazhin”, thuhet në përgjigjen e SabaGrupit.
SabaGrup me 13 qershor kishte publikuar një ofertë për kosovarët që të vizitojnë bregdetet shqiptare në Ksamil dhe në Sarandë ku në këtë udhëtim ishin të përfshira, udhëtimi, mëngjesi, darka dhe çadrat në plazh [shabllon në plazh], ofertë kjo që ka shkaktuar pakënaqësi tek disa turistë.
Insajderi që nga fillimi i këtij muaji ka njoftuar se do të merret ekskluzivisht me çështjet që preokupojnë turistët kosovarë nga bregdetet shqiptare./Insajderi.com
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...