OEK: Vendimi i Qeverisë për automjetet 7.5 tonë po i dëmton rëndë bizneset

16:21 | 15 Korrik 2024
E.G

Oda Ekonomike e Kosovës ka reaguar të hënën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 7.5 tonë, i cili ka hyrë në fuqi më 14 korrik.

Sipas OEK-së, ky vendim ka shkaktuar shqetësime dhe humbje të mëdha te bizneset.

“Ndërkohë që e kuptojmë nevojën për ruajtjen e infrastrukturës rrugore gjatë periudhave të temperaturave të larta, ky vendim ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndë mbi operimin e rregullt të kompanive dhe aktiviteteve ekonomike brenda dhe jashtë vendit tonë. Duke pasur parasysh se shumica absolute e lëndës së parë importohet në vendin tonë, atëherë si pasojë e këtij vendimi kompanitë prodhuese vendore do të kenë sfidë kryesore sigurimin e lëndës së parë nga vendet tjera”, konsideron OEK.

Për më tepër, kompanitë prodhuese, sipas tij, kanë drojë se mund të humbasin tregjet e jashtme të fituara me shumë mund, “për shkak të kufizimeve të eksportit, veçanërisht për produktet sezonale vendore që mund të eksportohen vetëm në këtë periudhë”.

Kompanitë tregtare dhe ato transportuese, sipas kësaj ode, po përballen me çrregullime në zinxhirin e furnizimit, të cilat do të shkaktojnë rritje të shpenzimeve për kompanitë vendore dhe si rezultat nuk do të jenë në gjendje t’i përballojnë këto kosto.

“Duke konstatuar se asnjë vend i rajonit nuk ka vendosur kufizime të tilla, nuk e shohim të arsyeshme që vetëm Kosova të vendosë një kufizim të tillë, sidomos duke e ditur se rrugët tona janë ndërtuar me cilësi shumë më të lartë se ato të vendeve të rajonit. Në emër të komunitetit të biznesit, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës të shqyrtojë edhe një herë këtë masë të ndalimit, për të mos dëmtuar biznesin dhe për të mos humbur tregjet e jashtme, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e eksportit të vendit tonë”, thuhet në reagimin e OEK-së.

Të ngjashme