Google ADS

Odat shëndetësore, peng i Qeverisë së re

09:30 | 8 Korrik 2017
arbresh.info

Ndonëse Kuvendi i Kosovës që prej majit të vitit 2013 ka miratuar Ligjin për Odat e profesionistëve shëndetësorë, ato nuk janë funksionalizuar ende në tërësi.

Krijimi i Odave, ka nënkuptuar edhe bartjen e disa përgjegjësive nga Ministria e Shëndetësisë tek këto trupa, shkruan REL.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Imet Rrahmani ka konfirmuar se nga mesi i javës, ua ka deleguar odave përgjegjësinë që ka të bëj me rilicencim, si kompetencë e fundit që pati mbetur pa u bartur nga Ministria e Shëndetësisë tek odat.

Por, kryetari i Odës së stomatologëve, Kujtim Shala,thotë për Radion Evropa e Lirë se këtë kompetencë nuk e kanë pranuar, pasi që nuk janë të gatshëm ta zbatojnë.

Ai shpjegon se si aktualisht po funksionon Oda që ai udhëheq.

“Ne e kemi kompetencën e edukimit të vazhdueshëm profesional, etikën profesionale dhe akreditimin e aktiviteteve të edukimit të vazhdueshëm profesional. Oda jonë nuk e ka pranuar kompetencën e rilicencimit pasi nuk kemi qenë të gatshëm”.

Por, Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë bën të ditur se kompetencat nuk do duhej të barteshin në kohën kur vendi po funksionon me Qeverinë në largim, transmeton arbresh.info.

Ndërkohë, kryetari i Odës së Farmacistëve, Zijadin Gashi, thotë se si odë kanë pranuar kompetencën e fundit, atë të rilicencimit, dhe nuk kanë probleme me funksionim.

Ndryshe, përgjegjësitë që odat e profesionistëve do të duhej t’i kenë, shtrihen në fushën e edukimit të vazhdueshëm profesional, në çështjet etike, licencimi dhe rilicencim./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme