Google ADS

Oda e Avokatëve të Kosovës vendosë që të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë!

14:33 | 4 Shkurt 2021
Arbresh.info

Oda e Avokatëve të Kosovës përmes një komunikate për media njofton se Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 03.02.2021, ka shqyrtuar ankesat e paraqitura nga avokatët, lidhur me trajtimin e tyre të padinjitetshëm, për qasjen në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, trajtim ky i cili ka filluar tashmë e disa muaj më parë, dhe ka marrë vendim që të bojkotohet Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga të gjithë Avokatët e Republikës së Kosovës, për shkak të trajtimit të padinjitetshëm të avokatëve, lidhur me çasjen në objektin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Në njoftim thuhet se bojkoti fillon prej datës 08 shkurt 2021 nga ora 08:00, nëse nuk eliminohen pengesat e paraqitura, ashtu që sipas këtij vendimi OBLIGOHEN AVOKATËT të zbatojnë këtë VENDIM, moszbatimi i të cilit përbën shkelje të rëndë disiplinore.

Si rrjedhojë e kësaj, arsyeja e nxjerrjes së këtij vendimi është se avokatët që kanë për të kryer punë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, presin në radhë me qytetarë për të hyrë në Prokurorinë Themelore, kontrollohen dhe detektohen nëpërmjet skanerit sa herë që hyjnë në këtë Prokurori dhe në rast se lejohen nga zyrtari i pranimit, u ndalet telefoni personal. Poashtu, për t’u çasur në zyrat individuale të prokurorëve, avokatët nuk mund të lëvizin pa shoqërimin e asistentit të Prokurorit edhe përkundër faktit se avokati, e ka të caktuar seancën paraprakisht.

OAK, ka zhvilluar tashmë disa takime dhe ka komunikuar në vazhdimësi me Këshillin Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurorin e Shtetit, Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që të hiqen/eliminohen pengesat si në vijim:

1. Pritjet e avokatëve në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, bashkë me palët;

2. Kontrollimi i avokatëve përmes skaner-it, sikurse për palët;

3. Kontrollimi fizik i avokatëve;

4. Detyrimi për mosbartjen e telefonit me vete.

Duke pasur parasyshë që avokatët përfaqësojnë interesat e palës, asnjëherë nuk mund të konsiderohet se avokati është i barabartë me palën, e aq më tepër të trajtohet njejtë.

Gjithashtu, Këshilli Drejtues, në mbledhjen e mbajtur më 02 Dhjetor 2020, ka marrë Qëndrim, të cilin e ka adresuar tek Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke kërkuar që avokatët të mos kenë pengesa për qasje në objektet e Prokurorive Themelore të Republikës së Kosovës deri te administrata e Prokurorive, me theks të veçantë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e poashtu që urgjentisht të eliminohen problemet/pengesat e tjera sipas e-mailit të cilin OAK, i kishte dërguar KPK-së, me datë 12.11.2020, siç është ndalimi i telefonatave dhe veprimet e tjera të cilat i konsiderojmë se janë pengesë për anëtarësinë e OAK-së.

Meqenëse deri më tani, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk kanë reflektuar pozitivisht lidhur me kërkesat e Odës së Avokatëve të Kosovës, për eliminimin e pengesave të paraqitura, gjatë komunikimit me shkrim dhe gjatë takimeve, përkundër insistimit të vazhdueshëm të OAK-së, duke parë këtë trajtim të avokatëve është më se e nevojshme që të merret ky vendim për bojkotim të Prokurorisë Themelore, deri në përmbushjen e kërkesave të OAK-së./arbresh.info

Të ngjashme