Bizneset startup vazhdojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në ekonominë e vendit, ndërsa Qeveria duhet të kthejë fokusin në përkrahje për këto biznese të cilat hapin vende të reja të punës dhe përmes inovacionit lehtësojnë jetën e qytetarëve.
Këto u thanë ndër të tjera në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në bizneset startup, shkruan Arbresh.info.
Arianit Fazliu kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes Kutia, njëherit edhe moderator i kësaj tryeze, theksoi se pandemia përveç se ka nxjerrë në pah nevojën për transformim të veprimtarive ekonomike për t’u përshtatur me situata të tilla, gjithashtu i ka dhënë theks të veçantë nevojës për koordinimin më të mirë të fondeve, si dhe investimin e tyre në industritë që afektojnë fuqishëm ekonominë e Kosovës, rrjedhimisht duke siguruar zhvillimin e saj.
Uranik Begu, drejtor ekzekutiv në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), theksoi se tema e startupeve është mjaft aktuale sepse COVID19 me gjithë të këqijat e veta ka sjellë edhe mundësi për themelimin e bizneseve të reja, derisa tha se ICK është munduar që gjatë tërë kohës të jetë në dispozicion të startupeve për hapësirë, mentorim, dhe konsulencë apo çfarëdo mbështetje tjetër të nevojshme. Begu tha se Kosova si vend nuk ka lëvizur shumë sa i përket mbështetjes institucionale për bizneset e reja, gjë që derisa krijon mundësi që njerëzit të jenë kreativ për shkak të mungesës së rregullimit të tregut, gjithashtu krijon edhe pengesa për sjelljen e rezultateve të duhura. Sipas Begut, Qeveria e Kosovës duhet të përcaktojë kahjen e zhvillimit ekonomik duke u fokusuar në ata sektorë që tregojnë trend dhe ndikim pozitiv, dhe derisa shifrat tregojnë se sektori i TIK-ut është në rritje, duhet të ofrohet përkrahje e vazhdueshme për këtë sektor. Ai potencoi se Qeveria e ka momentin e fundit për t’u kthyer nga bizneset fillestare të cilat nesër do të sjellin vende të reja të punës por edhe produkte e shërbime që do të përmirësojnë jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Jolta Koçani përfaqësuese e kompanisë Deloitte foli mbi nismën PowerUp, që është një program i krijuar me qëllim ndërtimin e kapaciteteve të bizneseve në fazat e hershme në Ballkan Perëndimor. Ajo tha se përmes trajnimeve dhe shërbimeve të konsulencës për krijimin e një strategjie të biznesit, si dhe asistencës në transformimin e operacioneve, ky projekt synon përgatitjen e bizneseve për të depërtuar në tregun vendor si dhe atë ndërkombëtarë, derisa një pikë tjetër fokusi është edhe pavarësimi i këtyre ndërmarrjeve nga investitorët. Koçani gjithashtu potencoi se rëndësi e veçantë përveç sektorit të teknologjisë, duhet ti kushtohet edhe ndërmarrjeve në sektorët si ai i shërbimeve, ushqimit, dhe artizanaleve të cilat kanë ndikim pozitiv në ekonomi.
Faton Sopa, kryeshef ekzekutiv në kompaninë Manaferra tha një sfidë kryesore për bizneset startup ka qenë ndryshimi i interesave të investitorëve, të cilët, të shtyrë nga pasiguria e krijuar në ekonominë globale, tani synojnë tregjet e shteteve të zhvilluara dhe ndërmarrjet që garantojnë kthim të shpejt të investimit me risk të ulët. Sopa tha se mes pasojave më të rënda nga pandemia ka qenë edhe nevoja për ristrukturim të moduleve të biznesit, për t’u përshtatur me rritjen e kërkesave për shërbime elektronike sidomos në platformat ku është zhvendosur procesi arsimor. Për fund ai shtoi se ndërmarrësit e ri duhet të krijojnë një vizion afatgjatë, derisa theksoi se ndryshimet në nevojat e tregut krijojnë nevojën për ndryshimin e strategjisë së veprimtarive të biznesit./Arbresh.info/
Incidenti me armë në Prishtinë, gjendja e dy të lënduarve ës...
Komisioni i ri Evropian votohet më 27 nëntor
Murati falënderon deputetët pas miratimit të buxhetit në Kuv...
Ukraina qëllon Rusinë me raketa britanike me rreze të gjatë ...
Hamza në Rahovec: Ndërmarrësit do t’i mbështesim me in...
“Një tjetër hap i madh në rrugën drejt Shqipërisë 2030 në BE...