Ambasadori britanik në Kosovë, i cili largohet nga ky post në muajin shtator, Ruairi O’Connell, i ka reaguar ashpër ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me të cilën u takua sot. Por, përkundër që ajo tha të kenë biseduar rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), O’Connell e ka mohuar një gjë të tillë.
Thotë se e vetmja gjë që s’do t’i mungojë në Kosovë, është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës që flasin në emër të tij, raporton Koha.net.
“E vetmja gjë që nuk do të më mungojë në Kosovë është praktika joprofesionale dhe jo miqësore e politikanëve të Kosovës që flasin prej pozicionit tim. Takova sot Ministren e Integrimeve Evropiane, e cila është një mike e vjetër. Pas takimit, Ministria e saj lëshoi një deklaratë për media duke dhënë qëndrimet e mia. Kjo s’u dakordua me Ambasadën time. Në fakt, unë nuk ofrova ndonjë mendim për zbatimin e MSA-së në Kosovë. As nuk e diskutuam atë”, ka shkruar O’Connell, përcjell Koha.net.
E Ministria që e udhëheq Hoxha, tha se ambasadori O’Connell, vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së, reformave si dhe fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në veçanti për procesin integrues, procese këto që duhet bërë edhe më shumë.
O’Connell, ndër tjera thotë se as që kanë diskutuar as për të drejtat e njeriut.
“Ne nuk diskutuam për të drejtat e njeriut. Ne diskutuam për rregullin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Unë thashë që Kosova është në një pikë të rëndësishme dhe se duhet të ndërmarrë hapa për të pastruar politikën nga kriminaliteti. Unë nuk ofrova asnjë vlerësim për punën e institucioneve. Kjo ka ndodhur disa herë nga institucione të ndryshme dhe parti politike. Tani e tutje, Ambasada ime do të korrigjojë çdo deklaratë të lëshuar pa pëlqimin tonë. Për të qenë absolutisht e qartë: Mbretëria e Bashkuar nuk mbështet ose kundërshton asnjë parti politike në Kosovë. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë dhe detyrë të marrin përgjegjësinë për votën e tyre dhe pasojat e veta”, ka shkruar ai tutje.
E Hoxha, përkundër kësaj, edhe atë përmes njoftimit zyrtar, tha se O’Connelli e vlerësoi punën e institucioneve duke potencuar zbatimin e MSA-së dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...