O’Connell për krimet ndaj viktimave të dhunës seksuale: Askush si ju nuk e di këtë dhimbje

11:34 | 14 Shtator 2017
Arbresh.info

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në partneritet me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë, kanë mbajtur punëtorinë: Adresimi i stigmës që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Feride Rushiti, nga QKRMT, tha se kjo punëtori paraqet përkushtimin dhe punën 20 vjeçare të QKRMT.

Ajo tha se qëllimi i kësaj punëtorie ka të bëjë me analizimin e thellë të stigmës që rrethon të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

“Fatkeqësisht edhe sot kur jemi mbledhë në botë ende ka gra, vajza që janë pre e dhunës seksuale. Thuhet se stigma vret, vret sepse vuajtjet e tua shtohen duke qenë edhe të pambrojtura nga shteti dhe nga familja. Ne sot jemi mbledhur për të parë se ku janë viktimat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë, të mendojmë çka kemi bërë dhe çka duhet të bëjmë më shumë”, tha ajo.

Atifete Jahjaga, ish- presidentja e Kosovës, tha se në bazë të statistikave nga lufta e fundit në Kosovë rezulton se janë 20 mijë gra dhe burra dhe me vite të tëra janë heshtur krimet që ju kanë bërë këtyre burrave dhe grave.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell, tha se të mbijetuarit e dhunës nuk duhet të ndihen të turpëruar, por kryerësit e këtyre veprave.

“Stigma duhet të zhduket plotësisht dhe kjo luftë nuk është e rëndësishme veç për Kosovën por për të gjithë botën. Askush nuk mund të luftoj stigmën më shumë se ju, sepse askush si ju nuk e di këtë dhimbje”, tha ai.

Shefja e EULEX-it në Kosovë, Alexandra Papadopoulu, tha se EULEX mbetet i përkushtuar që të ndjek të gjitha rastet, duke shtuar se sfidat në këto hetime janë shumë të mëdha.

Në këtë punëtori të pranishëm ishin edhe disa nga viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/o-connell-per-krimet-ndaj-viktimave-te-dhunes-seksuale-askush-si-ju-nuk-e-di-kete-dhimbje-434262/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme