Mungesa e ujit të pijshëm vazhdon të jetë problem për banorët e fshatit Orllan të Komunës së Podujevës. Kështu u tha në Komisionin Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ku edhe është diskutuar për peticionin e banorëve të fshatit Orllan për mungesë të ujit të pijshëm, shkruan arbresh.info.
Rexhep Zeka nga OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” para komisionit prezantoi peticionin e banorëve të Orllanit.
Ai tha se banorët e Orllanit kanë mungesë të ujit të pijshëm.
“Orllani ka rreth 2 mijë banorë dhe ka rreth 20 mijë vizitorë brenda vitit. Në shumicën e vendeve ka mungesë të burimit të ujit të pijshëm. Puset që furnizohen me ujë të pijshëm shtrihen në zonat që kanë minerale që njihen për shumë sëmundje duke përfshirë edhe sëmundjen e kancerit. Ky ujë jo që nuk është i pijshëm por është i dëmshëm për përdorim teknik” tha Zeka.
Ai shprehi shqetësimin e tij edhe për përdorimin e këtij uji nga nxënësit në shkolla.
“Nxënësit e fshatrave për shkak të mungesës së kushteve për të blerë ujë detyrohen të pijnë këtë ujë në shkolla”, tha ai.
Po ashtu ai tha se arsyeja e migrimit të një pjese të madhe të kësaj pjese është edhe mungesa e ujit të pijshëm.
Ai tha se banorët nuk kanë marrë mbështetjen e duhur nga kryetari i komunës së Podujevës, Agim Veliut.
“Na është premtuar nga zotëri Veliu që të ndahen mjete për këtë projekt. Na ka premtua që do t’i ndajë 50 mijë euro por nuk janë të mjaftueshme për realizimin e këtij projekti. Pra, kërkesa e banorëve përmes këtij projekti është të krijohet qasja në ujësjellës”, tha ai .
Kurse përfaqësuesi i Komunës së Podujevës tha se kjo e fundit ka paraparë që t’i ndajë 45 mijë euro.
“Komuna ka paraparë ti ndajë 45 mijë euro. Kërkesa e banorëve të Orllanit e cila është shumë e arsyeshme por ka një kosto shumë të lartë dhe është e papërballueshme për komunën e Podujevës”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe Sokol Shala, përfaqësues i Ujësjellësit Prishtina tha se ky i fundit nuk ka mundësi ta financojë projektin.
“Orllani nuk ka furnizim me ujë prej sistemeve tona. Pjesa e Orllanit është një problematikë që ne jemi mundu të jemi afër banorëve të Orllanit. Ne tani gjendemi në një situatë jo të mirë financiare. Ne e kemi të pamundur të investojmë në zgjerime të rrjeteve. Zgjerimet e rrjeteve i përkasin komunave”, ka thënë ai.
Ky projekt përfshin vlerën prej 1.3 milionë euro./arbresh.info/
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë