Adri Nurellari, kēshilltar politik i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ka kritikuar ashpër qeverinë e Kosovës e cila nuk ka kurrëfarë bashkëpunimi me qeverinë e Shqipërisë në luftën kundër koronavirusit.
“Ka kaluar më shumë se një muaj që kur pandemia ka prekur trojet shqiptare dhe është e turpshme që s’ka pasur qoftë edhe një iniciativë të vetme bashkëpunimi mes qeverisë në detyrë të Kurtit dhe qeverisë së Ramës.
Ky fakt është veçanërisht i pabesueshëm kur sheh se Vetëvendosja, partia e cila është ndërtuar e forcuar duke iu rënë çifteliave të bashkimit kombëtar e sharë të tjerët si tradhëtar apo inferior ndaj perëndimit, nuk ka bërë asnjë orvatje për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë gjatë kohës që jemi duk e u përballur armikun e përbashkët”, ka thënë Nurellari.
Ai po ashtu ka kritikuar qeverinë e Shqipërisë për retorikë e mosveprime konkrete për të ndihmuar Kosovën.
“E njëjta gjë vlen edhe për qeverinë Rama që përtej retorikës se ndezur patriotike të viteve të fundit, nuk ka bërë asnjë përpjekje për të gjetur fusha bashkëpunimi në këtë periudhë të rëndë.
Mes të tjerash, me sa duket të dy kryeministrat e shteteve shqiptare e kanë egon aq të sëmurë dhe hatërmbetjen ndaj njeri tjetrit aq të madhe sa të shkelin edhe mbi interesin kombëtar dhe solidaritetin mbarëshqiptar që do të duhej të lulëzonte tani”, tha Nurellari
“Në këtë periudhë të pandemisë madje mund të thuhet se më shumë kanë menduar amerikanët, evropiano-perëndimorët dhe turqit për kombin shqiptar, duke ofruar ndihma emergjente, sesa shqiptarët për njëri tjetrin. Hera e fundit që ka ndodhur diçka mes dy shteteve ka qenë vendimi i qeverisë Kurti për t’i akorduar dhuaruar 200 mijë euro për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve për tërmetin ndërkohë që Serbia dhuroi 2 milionë”, ka thënë ai.
Nurellari ka thënë se aktualisht kufiri i Kosovës është i mbyllur me Shqipërinë, por i hapur në veri me Serbinë.
“Strukturat paralele dhe stafet mjekësore të komanduara prej Beogradit që kanë hyrë e po operojnë me lejen e qeverisë Kurti, lëvizin lirshëm hyrje-dalje me Serbinë. Pacientët që janë shtetas kosovarë me përkatësi serbe po shkojnë rregullisht për t’u trajtuar në Nish apo Beogradi. Madje Vuçiqi foli se kishte edhe pacientë shqiptarë të Kosovës që po trajtoheshin në spitalet e Serbisë. Nga ana tjetër Shqipëria ka dërguar një ekip shëndetësor në Itali (gjë që meriton të duartrokitet) por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim përkundrejt Kosovës”, ka thënë ai.
“Aq më pak nuk është ndërmarrë asnjë lloj ndihme nga Tirana apo Prishtina për shqiptarët që janë pakicë e diskriminuar në Luginën e Preshevës apo ata që jetojnë në rajone të ndryshme brenda Malit të Zi. Mundësitë e bashkëpunimit edhe në kushtet e kësaj sfide të përbashkët janë shumë. Nëse hyjën e diskutojnë me siguri dy qeveritë do gjejne hapësira e mundësi ndërhyrje për të kompensuar njeri-tjetrin aty ku kanë avantazhe të krahasuar”, tha ai.
“Ta zëmë për shembull Shqipëria ka një industri tekstili goxha të zhvilluar në kuadër të fasonëve, që mund të porositeshin për të ndryshuar destinacionin në mënyrë që të prodhojnë masivisht maska e doreza për të dy shtetet. Nga ana tjetër Kosova ka treguar se ka njësi të FSK-së goxha efikase me përvojë e ekspertizë në emergjenca civile që mund të ndihmojnë në masat e karantinimit edhe në Shqipëri. Po ashtu në kushtet e kësaj emergjence, dy shtetet mund të angazhohen që në partneritet me kompanitë farmaceutike si Profarma, Trapharm, të planifikojnë për të kërkuar prodhim të posaçëm të medikamenteve e produkteve të konsumueshme që kërkohet më së shumti në këtë periudhë”, vlerëson Nurellari.
Ai tha se një ndër rekomandimet kryesore që vjen nga OBSH-ja për të luftuar koronavirusin është tëstimi sa më masiv dhe i shpeshtë.
“Sot është e vështirë që të blihen teste të shpejtë të avancuar nëpër tregjet botërore por po qe se kërkesa vjen më e madhe e rakorduar mes të dy shteteve, atëhere do të jetë më e lehtë që të sigurohet importi. Po ashtu duhet theksuar se shumë shtete tashmë kanë filluar të prodhojnë teste për të identifikuar COVID-19 për të mos krijuar varësi nga importi. Prandaj mund të ishte me leverdi që Kosova e Shqipëria të bashkojnë burimet kapitale, njerëzore e infrastrukturore që të ndërtohet një laborator i përbashkët për të të prodhuar teste. Mund të mendohet edhe për ndonjë spital të përbashkët fushor ndërkufitar midis Kukësit e Prizrenit.
E njëjta gjë vlen edhe për respiratorët, të cilët konsiderohen vendimtarë për mbijetesën e pacientëve që kanë imunitet të dobët apo problemet të tjera shëndetësore”, tha Nurellari.
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...
Rron Broja, “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës
Moscertifikimi i Listës Serbe, Vuçiç: Kurti po përpiqet t’i ...
ASHAK zgjedh anëtarët e rinj
KEDS thotë se po e ndalë rrymën për shkak të konsumit të lar...