Ish-këshilltari i presidentit, tash anëtar i PDK-së Adri Nurellari, duke folur për 4 pirllin Ditën Ndërkombëtare e Vetëdijesimit ndaj Minave ka rikujtuar se Shqipëria ka humbur një mundësi për ta paditur Serbinë qe e ka minuar kufirin në mes këtyre dy shteteve.
Nurellari ka shkruar në Facebook se polikanmët e Shqipërisë vrapojnë për të bërë foto në Beograd që të shihen në sytë e Brukselit më paqësor, por në politikën e jashtme sipas tij, ka dështime.
Ky është postimi i plotë i Nurellarit:
4 prilli është Dita Ndërkombëtare e Vetëdijesimit ndaj Minave dhe në këtë rast vlen të përmendet një mundësi të humbur që Shqipëria ka pasur për ta vënë para përgjegjësisë apo për t’i bërë presion Serbisë në favor të Kosovës. Faktikisht Republika e Shqipërisë në marrëdhënien me Serbinë hera herës ka treguar papjekuri e papërgjegjshmëri me kosto të mëdha për Kosovën dhe kauzën kombëtare. Një rast flagrant i tillë ka qenë mos-ngritja e një padie ndërkombëtare ndaj Beogradit në Gjykatën e Strasburgut ose në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për dëmshpërblimin e viktimave të minave dhe pasojat nga minimi i vijës kufitare Kosovë-Shqipëri.
Gjatë Luftës së Kosovës, Jugosllavia ka minuar me mina kundër njeri dhe municione thërrmuese, një pjesë të mirë të rreth 120 kilometra të kufirit ndër-shtetëror duke u futur madje deri në 20km në thellësi të territorit të Republikës së Shqipërisë. Nga viti 1999 deri në 2010 kur minat u pastruan në mënyrë shumë të mundimshme, ka pasur 238 të plagosur dhe 34 të vrarë prej minave. Mes viktimave rreth një e treta ishin fëmijë nga 39 fshatra të Kukësit, Tropojës e Hasit të cilat ishin të prekur nga minimi. Dëmi ekonomik gjithashtu ka qenë i jashtëzakonshëm sepse me qindra krerë bagëti janë vrarë nga minat ndërkohë që fusha e kullota të tëra nuk guxonte t’i përdorte njeri për vite me radhë nga frika e minave. Mirëpo jo vetëm që nuk kanë ngritur padi e kërkuar për dëmshpërblim ndaj Serbisë, por elita politike në Shqipëri shpesh vrapon me qejf drejt Beogradit për t’u dukur më të pëlqyeshëm e paqedashës në sytë e Brukselit.
Unë besoj se një ndër njollat e politikës së jashtme ka qenë nguti i papërgjegjshëm i qeverisë së Republikës së Shqipërisë për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Republikën Federale të Jugosllavisë në janar të vitit 2001 pasi Beogradi e mori hapin e parë në këtë drejtim. E mbaj mend si sot atë kohë kur isha student në Universitetin e Tiranës dhe reporter bashkëpunëtor i Radio Tiranës e Gazetës Intervista, e me sa indinjatë e kam marrë lajmin që Tirana rivendosi marrëdhëniet diplomatike në mënyrë krejt inferiore me Beogradin pa vendosur asnjë kusht. Bëhet fjalë për një periudhë kur plagët e Kosovës ende ishin të hapura e të freskëta, kur në Luginë të Preshevës UÇPMB ishte duke luftuar maleve të Karadakut dhe kur Millosheviçi ende nuk ishte çuar në Hagë.
Asokohe më e pakta që kërkohej nga qeveria e Tiranës ishte që të vendoseshin disa kushte minimale bazike për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike si për shembull: ndërprerjen e operacioneve luftarake në Luginën e Preshevës, lirimin e të burgosurve politik që ende mbaheshin në Serbi, zgjidhjen e problemit të Mitrovicës, dëmshpërblim për dëmet që ushtria serbe kishte shkaktuar në Veri-Lindje të Republikës së Shqipërisë. Jo vetëm që nuk u kërkuar dëmshpërblimi por nuk morëm dot as hartat e ushtrisë Jugosllave për minimin e territorit tonë të cilat do ta kishin lehtësuar dhe përshpejtuar shumë operacionin e çminimit.
Tanimë që kanë kaluar 16 vite nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Tiranës dhe Beogradit, duket qartë se ende nuk kemi vënë mësim nga gabimet. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike Tirane-Beograd asokohe ndërlikoi dhe dobësoi pozitën biseduese dhe imazhin e Prishtinës në negociatat ndërkombëtare për statusin. Shqetësimi i sotshëm është i njëjti si i atëhershmi dhe që konsiston në faktin se sa herë që ka muaj mjalti marrëdhëniesh Tiranë-Beograd, Serbia përfiton një certifikatë pafajësie dhe pastrimi të imazhit ndërkombëtar dhe njëherazi Kosovës i vështirësohet pozita negociatore. Ka shtete si Gjermania apo Hollanda që marrëdhëniet bilaterale dhe procesin e integrimit evropian ia kanë kushtëzuar Beogradit me sjelljen e këtij shteti ndaj shteti fqinj të Kosovës. Qeveritë e Shqipërisë kanë pasur dhe e kanë një përgjegjësi morale që në çdo hap të koordinohen me Prishtinën dhe një përgjegjësi kushtetuese që në çdo marrëdhënie me Beogradin të vënë të parin interesin kombëtar dhe së paku ta kushtëzojnë me sjelljen që i bëhet Kosovës.
IPK rekomandoi suspendimin e tre punonjësve të policisë
Kurti mirëpriti Kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik të...
Bislimi mirëpriti zëvendës shefen e misionit të ShBA-së në K...
Foda: Nëse duam të arrijmë vendin e parë në grup, duhet ta f...
Osmani priti në takim kryesuesin e KQZ-së Kreshnik Radoniqi,...
Në rastin ndaj Bahtijarit, Januzit dhe Shalës, shtohen gjash...