Nurellari: Deklaratat agresive ndaj Turqisë nuk i bëjnë nder Kosovës

22:21 | 5 Prill 2018
Arbresh.info

Analisti politik, Adri Nurellari, duke komentuar deportimin e gjashtë shtetasve turq ditë më parë, ka thënë se baraspeshimi i ruajtjes së sigurisë së shtetit dhe respektimi i të drejtave të njeriut është shumë problematike.

“Është një raport delikat midis sigurisë shtetërore dhe të drejtave të njeriut”.

Sipas tij, kjo nuk është një sfidë jo vetëm për shtetin e Kosovës, por edhe për vende që janë superfuqi botërore.

Megjithatë, Nurellari në Zona e Debatit në Klan Kosova, ka kritikuar reagimin e Kosovës duke e cilësuar se ka shkuar deri në fyerje.

“Ka një ekstremitet të reagimit që shkon deri në fyerje të një shteti mik. Pavarësisht ngarkesës emocionale dhe që dikush përpiqet të përfitojë nga kjo çështje, duhet të ketë respekt për një shtet mik si është Turqia”.

“Turqia po ashtu është shtet që ka peshë të madhe dhe është burimi i tretë i investimeve në Kosovë”.

Madje, ai ka kritikuar edhe fjalimet në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me deportimin e gjashtë shtetasve turq.

“Nuk kërkohet që kjo çështje të trajtohet bardh e zi dhe për më tepër kërkon vetëpërmbajtje sa i përket sulmeve ndaj Turqisë. Edhe në seancën parlamentare kemi parë etiketim dashakeq ndaj Turqisë”.

“Kemi të bëjmë më një shtet mik prandaj njerëzit do të duhej të vetëpërmbaheshin derisa të sqarohet situata”.

“Deklaratat agresive ndaj Turqisë nuk i bëjnë nder shtetit të Kosovës”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme