Nurdin Ibishi pyetet për Enver Sekiraqën, del që ky i fundit kishte deklaruar se ka qenë i ndaluar

11:57 | 31 Tetor 2024
A Z

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është kthyer për të vazhduar dëshminë dëshmitari Nuredin Ibishi, i cili është pyetur për Enver Sekiraqën, për të cilin tha se e di që është i arratisur nga drejtësia në Kosovë.

Ndërsa, gjatë seancës u la të kuptohet se Enver Sekiraqa kishte deklaruar se ka qenë i ndaluar gjatë periudhës që parashihet në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ibishi pohoi se për ZPS-në gjatë seancës përgatitore ka thënë se e njeh Enver Sekiraqen si një person problematik që prej viteve 1990 dhe se ai është në burg për shkak të një dënimi penal.

Avokatja e Jakup Krasniqit, Shyamala Alagendra e pyeti dëshmitarin se a ndërlidhet ky rast me rastin e vrasjes së policit, Triumf Riza, por që përgjigja e dëshmitarit nuk u dëgjua.

Tutje, dëshmitari u pyet se a e dinte që ka lajme se Enver Sekiraqa është arratisur në atë kohë kur ai ka qenë në seancë përgatitore me ZPS-në.

“Aq sa kam informacione para se të vijë këtu, ashtu është. Mendoj që është i arratisur”, tha Ibishi.

Më pas, Shyamala i prezantoi dëshmitarit një artikull të një medie, e cila ishte botuar në vitin 2010 pasi Sekiraqa kishte marrë një dënim në vitin 2007 me dënim me burgim.

“Sipas këtij artikulli nga … Enver Sekiraqa konsiderohej figura kryesore e krimit të organizuar në Kosovë që jetonte në Irlandë e që ishte tashmë në listën e të kërkuarve të Interpolit. Dhe sipas këtij artikulli thuhet që ai është dënuar me 36 vjet burg”, tha Shyamala.

Dëshmitari tha se nuk mund ta kualifikojë si person të kërkuar për krim të organizuar, pasi që sipas tij është çështje e drejtësisë.

Pas kësaj, avokatja Shyamala kërkoi që të pranohen në prova materiale tre artikuj që flisnin për Enver Sekiraqen. Por, ndërhyri gjyqtari Guenaël Mettraux.

“Përpara se ta bëjmë këtë gjë, cili është synimi për këtë? A po na thoni ju që Enver Sekiraqa është një person i keq dhe nuk duhet të besojmë asgjë që ka thënë ai për parandalimin e tij, burgosjen e tij e të gjitha këto gjëra?”, pyeti Mettraux.

“Këto artikuj konfirmojnë që ai është arratisur nga jurisdiksioni”, tha Shyamala.

Mettraux i tha avokates se nuk ishte kjo gjëja që po pyet por se pse është i rëndësishëm ky informacion në këto artikuj.

“Sepse ka të bëjë me kredibilitetin, pra besueshmërinë e zotit Sekiraqa”, tha Shyamala.

Kujtojmë se Gjykata Themelore e kishte lënë të mbrohet liri Enver Sekiraqa pasi ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 25 vite burgim për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza. Por, pas vendimit të Apelit më 18 maj 2024 Enver Sekiraqa nuk është kthyer në paraburgim por ka arritur të arratiset. Policia të njëjtin nuk e kishte gjetur në shtëpi dhe vazhdon të mbetet në arrati.

Prokurorja Silvia D’Ascoli tha se e kundërshton pranimin e këtyre dokumenteve pasi që nuk e kuptojnë se pse janë të dobishme ato për gjykatën.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se trupi gjykues do të vendos në një rast tjetër lidhur me këto dokumente dhe deri atëherë do t’i jepet numër identifikues.

Fillimisht, Smith dha tre urdhra me gojë. I pari kishte të bënte me riklasifikimin si konfidencial të një urdhri i cili është dhënë në gjykatë së bashku me përkthimet.

Ndërsa, për urdhrin e dytë, tha se ka të bëjë me një dokument për të cilin nuk ka pasur kundërshtime por që nuk kishte përkthime. Tha se meqë janë dorëzuar përkthimet dhe se nuk ka ndonjë kundërshtim këto dokumente do të pranohen.

Prokurorja kërkoi që këtyre dokumenteve t’i shtohet edhe një përkthim i rishikuar, gjë e cila u pranua.

Edhe urdhri i tretë, kishte të bënte me një urdhër të gjykatës që ishte dhënë më 24 tetor 2024 për pranimin e disa dokumenteve që janë dorëzuar nga mbrojtja e viktimave për t’u pranuar.

Gjykatësi tha se mbrojtja e Veselit dhe Thaçit kanë kundërshtuar pranimin e këtyre dokumenteve, por që trupi gjykues ka konstatuar se ky dokument është i rëndësishëm dhe autentik, duke e pranuar si provë.

Ndryshe, në fillim të pjesës së dytë të seancës, Smith tha se edhe avokati i Thaçit, Luka Mishetiq është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Dëshmitari Haxhi Mazreku në Hagë: Nezir Mazreku mbronte fshatin, s’ishte bashkëpunëtor me pushtetin serb

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Haxhi Mazreku tha se kushëriri i tij, Nezir Mazreku e mbronte fshatin dhe nuk ishte bashkëpunëtor me pushtetin serb.

Këtë deklarim, ai e bëri u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Guenawl Mettraux , para përfundimit të dëshminsë në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Është kushëri i imi (Nezir Mazreku) dhe ka qenë kryetar i socialistes, domethënë në Opterushë ka shërby si kryetar. Ka punu punën e vet, e ka punu punë bujqësie. Kryetar ka qenë. Ka këqyr me çdo kusht me e mbrojtë fshatin. Bile për këtë person shumë kam rreziku unë veten se dojshin për me e marrë, por iu thash nëse këta e merrni, duhet me më hek mu tani këta me marrë se përndryshe nuk lëshoj pe. Kështu ka qenë. E di fshati, e dinë të gjithë. Veç pse ka qenë kryetar i socialistes domethënë në atë kohë”, tha Mazreku, kur iu prezantua një dokument ku thoshte se personat që do të duhet të merren në pyetje janë dëshmitari dhe Nezir Mazreku.

Dëshmitari, tutje u pyet se kush dëshironte ta merrte Nezir Mazrekun dhe ai u përgjigj duke thënë se personat që kinse iu bashkuan UÇK-së.

“Po këta që iu bashkëngjitën gjoja UÇK-së, domethënë këta persona. Po krejt problemi që ka qenë prej fshati, fshatarët e tanë domethënë se ky demek kryetar i socialistes e me kqyr me e marrë këta se gjoja bashkëpunëtor. S’ka të bëjë me bashkëpunëtor, absolutisht. E ka mbajtë me mish e me shpirt fshatin, komplet komunitetin shqiptar e serb. Por, këtu ka qenë njëfarë propagande, njëfarë kërcënimi edhe unë u mundosha me grupin tim që mos me ardhë deri tek konflikti, deri tek gjakderdhja e më kapën në sy të keq edhe mu. Kjo është e vërteta”, tha Mazreku.

Dëshmitari tha se e quan “konflikt” luftën dhe sipas tij para konfliktit kishte shumë probleme në fshat. Ai tha se Nezir Mazreku ishte ai që u mundonte ta stabilizonte situatën, ndërsa gjatë konfliktit, dëshmitari tha se vetë e kishte marrë përsipër këtë mision.

“Na si UÇK, kemi qenë kundër regjimit serb, uniformës serbe dhe jo kundër civilëve”, tha Mazreku.

Haxhi Mazreku tha se kushëririt të tij ia morën armën disa persona nga Samadrexha.

Në fillim të seancës, pasi mbrojtja e Selimit nuk pati pyetje, kundërpyetjet i filloi avokati i Krasniqit, Aiden Ellis.

Dëshmitari pohoi se ai nuk i ndiqte komunikatat që pretendohet se janë lëshuar nga UÇK-ja.

Me kaq përfunduan pyetjet për këtë dëshmitar nga ana e Ellis, ndërsa pyetje shtesë nuk pati Prokuroria.

Meqë, dëshmia e këtij dëshmitari përfundoi, seanca kaloi në sesion privat për t’u kthyer sërish për dëshmitarin tjetër.

Ndryshe, në këtë seancë të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit përveç Hashim Thaçit, i cili është i pranishëm përmes video-lidhjes.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme