Google ADS

Numri i përdoruesve të substancave narkotike ne rritje

12:19 | 31 Mars 2018
V. S.

Numri i përdoruesve të substancave narkotike është mjaft i madh dhe në rritje, bëjnë të ditur zyrtarë që merren me këtë çështje. Shqetësues mbetet fakti se në Kosovë në vazhdimësi hyjnë droga të reja, e që përdoren nga të rinjtë pa pasur njohuri për to.

Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, për Radion Evropa e Lirë, ka thëne se  droga më e re që ka hyrë në treg është ajo e quajtur ‘ DOC’(Chloro-2,5-dimethoxyamphetamine), e që është tip i halucinogjenëve.

Siç thotë Blakaj, edhe droga ‘GHB’ (Hydroxybutyric acid) është njëra nga më problematiket, e që po përdoret shumë nga të rinjtë prej vitesh.

Por, sipas tij, shqetësues mbetet fakti se fëmijët e moshës 12-vjeçare në Kosovë përdorin marihuanë.

Sipas statistikave që qendra “Labirinti” posedon, rreth 20 për qind e nxënësve në shkolla, përdorin substanca narkotike, derisa në gjithë Kosovën thuhet se janë rreth 5 mijë përdorues të drogave në mënyrë aktive, derisa 25 mijë përdorues që herë pas herë përdorin droga.

“Sa i përket moshës mesatare të personave që përdorin droga, posaçërisht vitin e fundit ka rënë dukshëm, është 16 vjeç. Kjo është një rënie e dukshme nëse krahasohet me vitet paraprake. Mosha ekstreme që është paraqitur, e që nuk kanë qenë (raste) të shumta, ka qenë mosha 12 vjeç. Droga më e përdorur është marihuana, derisa në Prishtinë paraqiten kohë pas kohe edhe droga të reja e që janë të tipave halucinogjenëve, e që quhet DOC. Kjo përdoret në formë tablete. Moshat që e përdorin këtë drogë janë kryesisht 16 deri në 23 vjeç. Gjithashtu, GHB, një tjetër drogë përdoret shumë e që është në formë të lëngët”, thotë Blakaj.

Shumë nga të rinjtë e anketuar nga Radio Evropa e Lirë, lidhur me atë se a kanë njohuri për drogat dhe përdoruesit, si dhe pasojat që i sjellin substancat narkotike, kanë thënë se duhet ketë më shumë fushata vetëdijësuese, por edhe ndëshkime e kontroll më të madh për ata që abuzojnë me droga.

Albulena Kastrati, 19-vjeçare, thotë se me ato informata që i ka, çdo gjeneratë e re që vjen, abuzon më shumë me substanca narkotike. Ajo shton se mbi të gjitha do të duhej kontroll më i madh i prindërve sidomos te fëmijët 12-vjeçar, e që tashmë është bërë e ditur se përdorin droga.

“Mendoj se gjenerata e re i përdor substancat narkotike, e pavetëdijshme për pasojat. Ata plus kësaj nuk kanë as kontroll të duhur dhe nuk dinë respekt. Ky është mendimi im. Mendoj se fushatat vetëdijësuese iu duken të pavlera dhe si shumë të rinj, mendoj se duhet ndëshkim dhe kontroll më i madh, në mënyrë që t’i parandalojmë, sidomos fëmijët, të hyjnë në këtë botë, pra në abuzim me droga”, thotë Kastrati.

Ngjashëm flet edhe Kaltrina Haxhiu, 20-vjeçare, sipas së cilës është shokuese informata që fëmijët 12-vjeçar përdorin narkotikë:

“Përdorimi i substancave narkotike prej moshës 12-vjeçare mendoj se është shumë shqetësuese. Duhet kontroll më i madh i prindërve dhe iniciativë më e madhe e të gjithëve përfshirë edhe shkollat pasi që vërtet kjo dukuri po merr përmasa shqetësuese”.

Policia e Kosovës gjatë muajit janar të këtij viti, por edhe në tetor të vitit të kaluar, pati marrë një aksion ku ishin arrestuar 26 persona, që kishte si qëllim luftimin e substancave narkotike nëpër shkollat në gjithë Kosovën.

Blakaj tutje shton se ndonëse merren masa parandaluese të abuzimit me narkotikë, këto nuk janë të përhershme.

“Sa i përket institucioneve, lëvizje të pakta janë në ndihmë e që intervenimet e policisë kanë qenë ditore, kryesisht të atyre që i ndjekin shitësit në afërsi të shkollave. Kjo është e pamjaftueshme”.

Por, në Kosovë nuk ka ndonjë program të veçantë permanent për parandalimin e drogave te të rinjtë, posaçërisht në shkolla.

Pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve të rendit që të parandalohet përdorimi dhe shitja e drogave në përgjithësi dhe në mjedise në afërsi të shkollave në veçanti, organizatat joqeveritare konsiderojnë se qasja e të rinjve deri te shitësit e drogave, nuk është e vështirë, gjë që, sipas tyre, është shumë shqetësuese./ Radion Evropa e Lirë/

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme