Numri i madh i lëndëve në gjykata, Kurti sheh ndërmjetësimin si zgjedhje efikase

21:52 | 4 Shtator 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka publikuar statistikat rasteve të ndërmjetësimit me gjykatat, të cilat sipas tij, për vitin 2023 janë në rritje.

Kurti tha se në kohën kur gjykatat tona përballen me një numër të madh të lëndëve të pazgjidhura, ndërmjetësimi ofron një zgjidhje efikase dhe të shpejtë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, përcjell Arbresh.info

“Statistikat tregojnë se rreth 90% e rasteve të ndërmjetësimit në Kosovë përfundojnë me sukses, duke ofruar një alternativë efektive ndaj proceseve të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore. Qeverisja jonë është e përkushtuar për të mbështetur dhe zhvilluar metoda alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe Ndërmjetësimi ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në vendin tonë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

“Në Republikën e Kosovës, nga viti 2021 deri në vitin 2023, shifrat e rasteve në Ndërmjetësim kanë shënuar rritje të dukshme, aq sa vetëm nga gjykatat, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ndërmjetësim, janë referuar 5,424 raste penale dhe 6,633 raste civile”, shtoi tutje Kurti.

Sipas të parit të ekzekutivit kosovar, ky progres është arritur si rezultat i politikave të zbatuara nga Ministria e Drejtësisë.

“Ky progres karakterizohet sidomos me rastet civile. Përderisa në vitin 2021 në ndërmjetësim ishin referuar 864 raste civile, ky numër ishte rritur në 1673 raste të kësaj natyre në vitin 2022, ndërsa ishte shumëfishuar në 4096 raste në vitin 2023. Thënë në përqindje i bie që viti 2022 ka shënuar rritje të referimit të rasteve civile për 93.6 për qind në raport me vitin 2021, ndërsa viti 2023 rritje të referimit të rasteve civile prej 144.8% në raport me vitin 2022, ose 374% në raport me vitin 2021. Kurse trendi i rritjes së rasteve të referuara në Ndërmjetësim gjatë këtij viti pritet të tejkalojë edhe më shumë vitet paraprake. Ky progres i Ndërmjetësimit është rezultat i politikave të zbatuara nga Ministria e Drejtësisë, të cilat kanë siguruar një procedurë të shpejtë dhe me kosto të ulët për qytetarët tanë”, u shpreh Kurti.

Mes tjerash, Kurti ka ftuar qytetarët që t’i zgjedhin mosmarrëveshjet përmes ndërmjetësimit në mënyrë paqësore.

“Andaj, ju ftoj të shfrytëzoni këtë mundësi për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore, të drejtë dhe të shpejtë, duke kontribuar kështu edhe në lehtësimin e barrës së gjykatave. Ndërmjetësimi është zgjedhja e mençur për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme”, përfundoi shkrimin Kurti./Arbresh.info

Të ngjashme