Që 22 ditë, punëtorët e kombinatit metalurgjik Trepça në Mitrovicë e kanë ndërprerë punën. Pa pagën e muajit qershor dhe pa shujtat ditore që nga fillimi i korrikut, përfaqësuesit e minatorëve të Trepçës thonë se kombinati po përballet me keqmenaxhim dhe mungesë të investimeve.
Lidhur me situatën e krijuar, më 31 korrik, sindikata e punëtorëve të Trepçës, ka mbajtur një takim me minatorë, në të cilin ka marrë pjesë edhe kryeshefi ekzekutiv i kombinatit, Bashkim Kurti.
“Pa marrjen e pagave dhe shujtave ushqimore, minatorët nuk pranojnë të hyjnë dhe të punojnë në minierë, sepse rrezikojnë shëndetin e tyre”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ibrahim Januzi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës.
Në Trepçë punojnë gjithsej 1.200 minatorë, derisa paga mesatare e tyre, sipas Jonuzit, është 740 euro. Sipas të dhënave të fundit të ASK-së, paga mesatare në sektorin publik dhe privat në Kosovë është 521 euro.
Menaxhmenti i Trepçës e arsyeton mosekzekutimin e pagave me mungesë të mjeteve financiare dhe rënie të prodhimit.
Kryeshefi i Trepçës, Kurti, thotë se gjendja financiare e kombinatit metalurgjik është rënduar nga sasia e ulët e prodhimit dhe e shitjes së produkteve.
Ai tregoi se Trepça i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës mjete shtesë për ta mundësuar një zgjidhje, por shton se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje konkrete.
Kurti nuk ka dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të ekzekutohen pagat e punëtorëve.
“Nuk ka ndonjë arsye tjetër pse nuk janë paguar pagat, thjesht është mungesë e fondeve. E mungesa e fondeve vjen nga mungesa e prodhimit dhe shitjes së produktit të prodhuar”, thotë ai.
Produktet kryesore që Trepça prodhon janë koncentratet e plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve të tjera. Miniera e Stantërgut, që gjendet në rajonin e Mitrovicës, është vendburimi kryesor i nxjerrjes së xehes.
Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Kosovës nuk u përgjigj pyetjes se a planifikon të ndajë ndihmë financiare për Trepçën për pagat e punëtorëve të kombinatit.
Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare dhe 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë së Kosovës, kurse 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Problemet e reja, vështirësitë e vjetra
Në një situatë të ngjashme, minatorët e Trepçës e kanë gjetur veten disa herë edhe gjatë vitit të kaluar.
Në fund të muajit tetor të vitit 2023, për dhjetë ditë me radhë ata qëndruan në grevë brenda minierës pikërisht për shkak të mosrealizimit të pagave dhe ankesave për kushtet e punës.
Ata nuk kanë sigurime shëndetësore, as jetësore – të cilat i kanë kërkuar vazhdimisht. Ndërkaq, tregojnë se shpesh u mungojnë edhe rrobat e punës, siç janë helmetat e llambat ndriçuese, të cilat disa herë janë detyruar t’i blejnë vetë.
Në janar të këtij viti, 13 minatorë të kombinatit metalurgjik Trepça kishin pësuar lëndime gjatë transportimit të acidit sulfurik në ambientet e punës dhe kishin marrë trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës.
Vështirësitë financiare prej disa dekadash të Trepçës
Makineritë e Trepçës janë mbi 50 vjet të vjetra dhe mungesa e mirëmbajtjes së tyre ka shkaktuar probleme të vazhdueshme.
Rënia e prodhimit kishte nisur qysh në vitet ’90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë kishte mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.
Kurse, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Trepça asnjëherë nuk ka arritur të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik.
Qeveria aktuale, në disa raste, është zotuar se do ta bëjë Trepçën “ndërmarrje fitimprurëse”. Për investime në këtë kombinat, në vitin 2023, Qeveria e Kosovës miratoi një kredi prej 20 milionë eurosh. Por, këto mjete financiare nuk janë ekzekutuar ende.
“Kanë mbetur edhe disa çështje të rregullohen dhe besoj se deri në fund të këtij viti, këto mjete do të ekzekutohen”, tha kryeshefi i Trepçës, Bashkim Kurti, duke mos specifikuar se për çfarë çështjesh bëhej fjalë.
Trepça pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës, që do t’i marrë në pronësi të gjitha asetet strategjike të vendit, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre.
Ligji për Fondin Sovran është miratuar në fund të vitit të kaluar, por Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës e kanë dërguar këtë ligj për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.
Një bullgar i akuzuar për spiunazh për Rusinë “kishte diskut...
Xheneta ngacmon Drilonin teksa pastronte në kuzhinë, pastaj ...
Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Admin...
Kush do të largohet e kush “rikthehet”? Sonte ju pret një pr...
Kosovarët pa viza edhe në Tajvan
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...