“Nuk po e çlirojmë Ballkanin, po e hapim një urë”-Rreziku që mund të sjell hapja e urës së Ibrit

08:59 | 9 Qershor 2024
E.G

Që nga viti 1999, ura mbi lumin Ibër e ka ndarë qytetin e Mitrovicës në dy pjesë, në pjesën jugore të banuar me shumicë shqiptare dhe në atë veriore të banuar me shumicë serbe.

Tash e sa vite, të drejtë për të lëvizur mbi këtë urë kanë vetëm këmbësorët, ndërsa në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut është hapur sërish kjo temë.

Kjo ngjarje ka ngritur reagime të shumta si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, e që këta të fundit, e konsiderojnë këtë hap si ‘kërcënim për rritjen e tensioneve’.

Shala: Hapja e urës së Ibrit lehtësim për qytetarët, nuk ndikon në rritjen e tensioneve

Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala hapja e urës së Ibrit nuk do të kontribuonte në prodhimin e tensioneve pasi që sipas tij, grupet kriminale në veri nuk kanë më përkrahje që e kanë pasur.

“Kjo hapje apo vendimi për hapjen e urës padyshim do të kontribuonte në lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe sipas analizës në aspektin e sigurisë, nuk do të prodhonte asnjë incident në pjesën veriore sepse grupet kriminale kanë humbur mbështetjen e tyre në pjesën veriore dhe nuk kanë më efekte siç kanë qenë para 24 viteve”, ka thënë Shala në një prononcim për Arbresh.info.

Shala theksoi se ura mbi lumin Ibër ishte bllokuar nga ndërkombëtarët për shkak të tensioneve.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës së Ibrit padyshim do të jetë një lehtësim i jashtëzakonshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës të t’ dyja komunave, me qenë se deri me tani kjo urë ishte e bllokuar nga ana e mekanizmit ndërkombëtar si rezultat i tensioneve që ka krijuar ndarja fizike në mes të Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut”, deklaroi Shala.

Xani: Serbët lokal kanë qenë gjithmonë të pajtimit që të hapet ura e Ibrit

Njohësi i çështjeve politike, Visar Xani në një prononcim për Arbresh.info ka thënë se pa e pasur mbështetjen e ndërkombëtarëve, nuk mund të hapet për qarkullimin e mjeteve ura e Ibrit.

Sipas Xanit, çdo çështje që dërgohet për negocim në Bruksel e humbë përgjegjësin e njëanshme të veprimit.

“Pa e marr edhe mbështetjen ndërkombëtare, vështirë për të besuar se mund të bëhet hapja e urës së Ibrit për shkak se ka pasur negociata në Bruksel dhe për çdo temë që ka negociata në Bruksel në një far mënyre, e humbë përgjegjësin të njëanshme të ketë veprime nga ky aspekt”, deklaroi Xani.

Ai konsideron që Serbia dëshiron ta fus veriun e Kosovës në tensione për të mos pasur sukses në këto veprime.

Megjithëkëtë, Xani thotë se duhet të gjendjet një dakordim me ndërkombëtarët në mënyrë që hapja e urës të mos dështoj.

“Nuk them që nuk është disponim i qytetarëve, nuk them që ky është veprim i pamendueshëm, por konsideroj që Serbia me mënyrën e saj do të shndërroj në një problem dhe në një tension për veriun e Kosovës dhe duke llogaritur nga ky aspekt vështir për të pasur sukses veprimet e tilla. Gjithsesi, nuk them se duhet mbetur duarkryq por duhet të ketë një dakordancë të plotë me faktorin ndërkombëtar me qëllim që ura nëse hapet të ketë sukses dhe mos të hapet për të krijuar tensione, pastaj Serbia dhe Vuçiqi të i përdor këto për interesa politike dhe viktimizimin e tyre në Beograd”, tha Xani.

Mes tjerash, ai shpreh bindjen e tij të plotë që jo vetëm shqiptarët por edhe serbët në atë pjesë janë të pajtimit që ura e Ibrit të hapet për qarkullimin e mjeteve.

“Ura në veri të Kosovës vazhdon të mbetet një shtyllë për Serbinë për të krijuar ndarësi politike në emër të asaj që ka anëtarësi qytetare. Jam i bindur që serbët lokal kanë qenë çdo herë të pajtimit që ura e Ibrit të hapet dhe qarkullimi të jetë i lirshëm në të dy pjesët. Por fatkeqësisht Serbia vazhdon që të rezistoj përmes grupeve kriminale”, u shpreh Xani.

Arifi: Nuk po e çlirojmë Ballkanin, po e hapim një urë

Ndërsa, njohësi politik, Dritero Arifi theksoi se qasja e dialogut ka ndryshuar për të diskutuar për hapjen e urës siç kërkojnë bashkësia ndërkombëtare.

Në një prononcim për Arbresh.info Arifi tha se kjo çështje, duhet të diskutohet më partnerët amerikan dhe që sipas tij, nuk është nevoja që të i jepet vëmendje e madhe kësaj teme.

“Mendoj që dialogu ka ndryshuar sepse kemi dy mumentume, së pari është marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit, dhe momentumi i dytë është sulmi terrorist i serbëve në veri dhe i një far lloj tentim agresioni edhe i shtetit serb ndaj një pjese të territorit të Kosovës. Këto janë dy momentumet që e kanë ndryshuar edhe komplet narracionin dhe qasjen ndaj dialogut, kështu që mendoj Qeveria duhet ta diskutoj me partnerët amerikan brenda Kosovës se si të zgjidhet kjo çështje në mënyrën sa më të qetë të mundur. Pra nuk kemi nevojë ti japim shumë pompozitet se nuk po e çlirojmë Ballkanin, po e hapim një urë, pra duhet ditur edhe se si i qasesh një problemi me e përfundu punën pa bërë shumë zhurmë”, u shpreh Arifi.

Ai thekson se hapja e urës nuk duhet të bëhet vetëm për poena politik pa bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtar megjithëse, një hapje e tillë sipas Arifit, nuk do të nxiste tensione.

“Hapja e urës nuk besoj që do të nxisë shumë tensione, por nuk besoj se është qëllimi ky sepse edhe s’ka kush të bëjë tensione. Komunat veriore në një far mënyrë nuk janë më nën administrimin dhe pushtimin e Listës Serbe dhe kjo e eliminon një pjesë të organizuar të protestës apo tensionit. Ne nuk guxojmë të hapim urën vetëm për poena politik por duhet një bashkëpunim i thelluar me partnerët tanë që mos ta humbim betejën. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse në një far mënyre ne po themi që veriu është nën kontrollin tonë atëherë ne nuk kemi nevojë të ngutemi. Por ura mund të hapet nuk po e shoh problematikën aty vetëm qasja e asaj që në po tentojmë ta bëjmë por nuk besoj që mund të ketë tensione”, deklaroi tutje Arifi.

Në fund, Arifi tha se për zgjedhjen e kësaj çështje duhet të bëjmë veprime strategjike.

“Duhet të jemi më strategjik jo popullistë në këtë çështje, pra nëse hapet ura duhet kuptuar që perëndimi do të na trokas në derë edhe për obligimet ndërkombëtare që i kemi, prandaj duhet matur çdo veprim sepse e ka një kundërpeshë, kështu që duhet ditur se cila është kundërpesha e hapjes së urës dhe mendoj që do të duhej të analizohet para se të hapet ura”, tha Arifi.

Ky nuk është insistimi i parë për një vendim të tillë.

Vendimi për hapjen e Urës së Ibrit ishte marrë edhe në prill të vitit 2023, por që nuk është zbatuar ende edhe pse ka qenë subjekt i dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë më 2015 dhe 2016 në kuadër të dialogut.

Hapja e urës së Ibrit – Lista Serbe e sheh të panevojshme, BE e sheh dialogun zgjedhje të vetme

Ndryshe, partia më e madhe e serbëve në vend, Lista Serbe e ka kundërshtuar fuqishëm hapej e urës mbi lumin Ibër duke thënë se është e panevojshme dhe e papranueshme.

Përmes një komunikate për media, LS thekson se kjo është një lëvizje përshkallëzuese që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në teren.

Kurse, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se çështja e hapjes së urës është pjesë e dialogut të lehtësuar nga BE, dhe se diskutimi dhe vendimet në lidhje me hapjen e saj për trafik duhet të ndodh në kuadër të dialogut me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të t’ dyja palëve.

Sipas një marrëveshje të arritur vite më parë në Bruksel, ura mbi lumin Ibër do të duhej të hapej për qarkullim të plotë me 20 janar 2017 mirëpo edhe pse kanë kaluar vite, ura vazhdon të jetë e hapur vetëm për këmbësor.

Barrikadat e para mbi këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga serbët lokal të cilët kishin për qëllim kundërshtimin e shtrirjes së autoritetit të Prishtinës në veri./Arbresh.info/Ejona Hyseni/

Të ngjashme