Nuk ndalet vetura në veri, Policia detyrohet të gjuajë me armë zjarri

23:10 | 9 Mars 2023
E.H

Policia e Kosovë ka njoftuar se një incident ka ndodhur sonte në Mitrovicën veriore.

Siç thuhet në njoftim, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 teksa autoritetet policore kosovare, ishin në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit audi.

Ngasësi në atë rast ka rritur shpejtësinë, për të ikur nga ndalimi duke shkaktuar rrezik ndaj zyrtarëve policorë, dhe si pasojë e mosbindjes ndaj urdhërit, njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit, transmeton arbresh.info.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Më datë 9 mars 2023, rreth orës 19:20, përderisa njësia policore e Policisë së Kosovës ndodhej në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit audi.

Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policor, përderisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit.

Automjeti i dyshuar me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, përderisa njësitet policore janë duke ndërmarr veprime operative dhe hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ve të dyshuar të përfshirë në këtë rast.

Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhë në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin e veprave kriminale, ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj secilit individ apo grup kriminal që cenon rendin, sigurinë apo rrezikon jetën e zyrtarëve policor që po punojnë natë e ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme