Nuk ka reciprocitet në zbatim të marrëveshjeve të dialogut

16:45 | 19 Dhjetor 2017
M. A.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizoi vizitë në pikën kufitare në Merdare me një pjesë të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të parë nga afër zbatimin e marrëveshjeve që ndërlidhen me dialogun Kosovë – Serbi.

Gjatë vizitës në pikën kufitare në Merdare, deputetët e Kuvendit të Kosovës u informuan lidhur me gjendjen e përgjithshme në këtë pikë kufitare, zbatimin e marrëveshjes së IBM-së si dhe sfidat dhe problemet në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut lidhur me lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Disa nga shqetësimet të cilat u ngritën nga komandanti i policisë në këtë pikë kufitare, Sefat Gashi ishin mungesa e infrastrukturës adekuate për të përballuar fluksin e madh të qytetarëve, çështja e mosnjohjes së dokumenteve dhe targave të veturave të Kosovës nga ana e Serbisë, si dhe mos anëtarësimi i Kosovës në Kartonin e gjelbër, të cilat po krijojnë pritje të gjata.

Pas vizitës në pikën kufitare në Merdare, KDI organizoi debat publik me qytetarët e këtij rajoni në të cilin u diskutua e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi si dhe këndvështrimi i qytetarëve lidhur me këtë proces.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës theksoi nevojën e një roli të shtuar të Kuvendit të Kosovës, bashkërendimin institucional për të ardhmen e këtij procesi duke theksuar se mungesa e reciprocitetit në marrëveshjet e arritura si marrëveshja e targave apo dhe e lëvizjes së lirë po dëmtojnë shtetin e Kosovës duke e bërë Serbinë të privilegjuar dhe të pakushtëzuar nga Prishtina zyrtare.

Ndërkaq deputetja Time Kadrijaj nga AAK, vlerësoi se pavarësisht faktit që procesi i dialogut ka synuar stabilizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur si rezultat i moszbatimit të marrëveshjeve të arritura nga ana e palës Serbe.

Kadrijaj vlerësoi se në fazën e re ky proces duhet të jetë transparent, të ketë konsensus politik, SHBA-të të përfshihen direkt dhe të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë në mes Kosovës dhe Serbisë.

E deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, u shpreh se dialogu duhet të zbres nga elitat tek qytetarët, ndërsa integrimi i qytetarëve serb të Kosovës duhet të bëhet përmes barazisë shoqërore dhe zhvillimit ekonomik dhe jo përmes privilegjeve institucionale.

Ajo theksoi se në të ardhmen dialogu duhet të përfshijë çështjen e të pagjeturve, krimeve të luftës dhe çështjet e brendshme të Kosovës të mos jenë pjesë e këtyre bisedimeve.

Fidan Rekaliu, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK, tha se dialogu duhet të fokusohet te zgjidhja e problemeve teknike të cilat do ta lehtësonin jetën e qytetarëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme