Nuk ka gatishmëri politike për organizimin e një tryeze të thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, për të diskutuar rreth emrit të presidentit të ri të Kosovës.
Të gjitha subjektet politike parlamentare deri tash janë deklaruar se nuk e votojnë kandidatin e njëra-tjetrës për president, ndonëse akoma nuk janë propozuar emra, përveç kandidaturës se vetëshpallur së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK për president, Ramush Haradinaj.
“Ka deklarata dhe këmbëngulje publike se votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo të një subjekti tjetër. Kjo dëshmon se beteja po zhvillohet në media dhe në debate, por se akoma nuk ka gatishmëri për tryezë. Koha po ikën dhe po rrëshqasim në zgjedhje”, është shprehur kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas dështimit të organizimit të një tryeze të përbashkët.
Haradinaj: Zgjidhje në bazë të Kushtetutës
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tashmë është deklaruar se ofron kandidaturën e tij për president të Kosovës dhe nëse kjo ndodhë, ai thotë se më nuk do të kthehet në partinë që e themeloi pas luftës AAK.
“Nuk e shoh si shqetësim këtë për vete, për aspektin politik, por për Kosovën. Kosova i ka energjitë e brendshme për t’i kaluar këto. Aspektet e çështjes së zgjedhjes së Presidentit do t’i zgjidhim në bazë të Kushtetutës. Si aleancë kemi dhënë një opcion që është një marrëveshje politike. Opcion tjetër janë zgjedhjet. Nëse ka mirëkuptim nga palët e mirëpresim nëse jo kuptohet jemi në zgjedhje”, është shprehur Ramush Haradinaj.
Kurti: Presidenti i ri të zgjidhet pasi që të kenë folur qytetarët
Partia më e madhe opozitare lëvizja Vetëvendosja me këmbëngulje kërkon që Kosova të mbajë zgjedhje dhe pas zgjedhjeve atëherë ashtu siç e parasheh kushtetuta në parlament të zgjidhet presidenti i ri. Lideri i kësaj partie Albin Kurti, i cili qeverisi Kosovën vetëm për 50 ditë dhe u rrëzua nga një mocion mosbesimi, thotë se arsye substanciale për të shkuar në zgjedhje është legjitimiteti qytetar për bartësit e institucioneve.
“Është tejet e rëndësishme që presidenti i ri të zgjidhet pasi të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet”, thuhet në një deklaratë të Vetëvendosjes.
PDK: Jo president që thellon përçarjen e brendshme
Partia tjetër opozitare Partia Demokratike e Kosovës, lideri i së cilës Kadri Veseli gjendet në Hagë i akuzuar për krime lufte, tash për tash nuk dëshiron të përfshihet shumë në debatin për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Kryetari në detyrë i kësaj partie Enver Hoxhaj, i quan të papranueshme “shantazhet”, e subjekteve tjera politike të cilat deklarojnë se nëse nuk ka konsesus për emrin e presidentit vendi shkon në zgjedhje.
“PDK nuk do të bëhet palë e një procesi që do të prodhonte një president që thellon përçarjen e brendshme dhe e izolon Kosovën jashtë”, ka deklaruar Enver Hoxhaj.
Shanse të vogla për konsesus
Por, si shohin analistët politik këtë debat rreth çështjes së zgjedhjes se presidentit? Blerim Burjani, njohës i zhvillimeve politike i tha DW-së, se duke parë inatet e partive politike, gjasat janë të vogla që të ketë një konsesus për emrin e presidentit të ri.
“Pak ka shpresë që këto parti do të kenë mundësi të arrijnë konsensus për të zgjedh një president nga radhët e tyre apo të ketë propozime për ndonjë kandidat jo partiak. Pra, gjasat janë të vogla, duke pasur parasysh inatet e mëdha të akumuluara në këtë periudhë kohore qeveritare. VV u shkarkua nga qeveria, ndërsa PDK mbeti pa udhëheqës të saj, dhe në këtë fazë nuk ka guxim individual për konsultime pa kreun e saj partiak që tashmë është i akuzuar nga dhomat e specializuara. Nën anën tjetër LDK nuk është gatshme t’ia falë postin e presidentit Ramush Haradinajt, sepse në fund këtë post e do për vete”, thotë Blerim Burjani.
Inatet janë shumë të mëdha dhe vështirë se do të gjendet një konsensus, thekson Burjani.
Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit pasi ai u akuzua për krime lufte nga Dhomat e Specializuara, me (05.11) ushtruese e detyrës në këtë pozitë sipas kushtetutës u zyrtarizua Vjosa Osmani kryetare e Kuvendit. Kështu parashihet në nenin 90 të kushtetutës së Kosovës, por kjo nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj, dhe nëse partitë politike nuk merren vesh për një emër konsensual, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje për një përbërje të re të kuvendit.
Për zgjedhjen e presidentit është e obligueshme që në sallë të jenë më së paku 80 deputetë. Nëse në dy raundet e para dështon zgjedhja e presidentit që kërkon dy të tretat e votave nga 120 deputetë, atëherë në raundin e tretë presidenti mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë prej 61 votash, por, gjithsesi me një kuorum të obligueshëm prej 80 deputetësh në sallë. /dw/
Nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë i bie të fikët në pro...
Arteta i shqetësuar pas lëndimit të Sakas, futbollisti prite...
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...