Nuk ka interesim që zgjedhjet të mbahen këtë vit

09:59 | 7 Maj 2018
Arbresh.info

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dukagjin Gorani, ka thënë se Grupi i Deputetëve të Pavarur nuk e përkrah idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme gjatë këtij viti.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se arsye për këtë është se zgjedhjet nuk do të sjellin ndryshim përmbajtjesor të qeverisjes, por vetëm ndërrim të Qeverisë me aktorë të ngjashëm në pushtet, mbase të njëjtë. Gorani ka folur edhe për formimin e partisë së re të krahut socialdemokrat nga grupi parlamentar i 12 deputetëve të pavarur, pjesë e së cilës është edhe ai.

“Partia e re, Socialdemokrate, do të përpiqet t’i shpërfaqë dhe t’i plasojë aftësitë profesionale të anëtarëve të saj, në të mirë të zhvillimit të vendit”, ka thënë Gorani.

Ai ka thënë se Kosova, shqiptarët dhe të gjitha komunitetet e saj duhet të përgatiten për një shoqëri të zhvilluar ekonomikisht, të pangarkuar kulturalisht dhe të integruar strukturalisht.

“Është ky nivel i ri në historinë e zhvillimit tonë që do të fillojë relativisht shpejt: me liberalizim të vizave dhe ulëse në OKB. Sfidat para nesh do të jenë të rënda, por edhe të ndryshme: prej Republikës së Kosovës do të pritet më shumë ekspertizë zhvillimore, më shumë përqendrim në drejtësi, integrim të shoqërisë, arsim e shëndetësi, e shumë më pak në histori politike apo në interpretime të trashëgimisë së konflikteve rajonale”, është shprehur Gorani.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme