Nuk ka datë për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi

07:35 | 18 Janar 2018
Arbresh.info

Dialogu Kosovë-Serbi i cili kishte për të filluar të hënën është ndërprerë. Shkak i kësaj ndërprerje ishte vrasja e Oliver Ivanoviqit, drejtues i Iniciatives qytetare serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi”. Me të marrë këtë lajm dy grupet ai i Kosovës dhe Serbisë dërguan njoftim për ndërprerje të dialogut.

Një ditë pas kësaj ngjarje, drejtori i të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, tha se nuk do të ketë vazhdim të dialogut në Bruksel derisa Serbia të marrë përgjigje për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Kryeministri Ramush Haradinaj dje në një konferencë për media ka thënë se  dialogu si ka qenë më herët është konsumuar.

Jemi habit me vendimin e delegacionit të Serbisë në bisedime në Bruksel dhe edhe ashtu dialogu është në një fazë kritike për shkak se mendojmë që dialogu i tillë si ka ekzistuar deri më tani është  konsumuar dhe qëndrimi i delegacionit të Kosovës i kryesuar nga zotëri Arifi dje ka qenë me partnerët e BE-së se duhet të kalojë fazën finale të dialogut që nënkupton njohjen reciproke. Pra të bisedohet për njohje dhe të përgatitet një platformë për këtë”, ka thënë ai.

Ndryshe Arbresh.info ka pyetur Qeverinë se kur do të filloj sërish dialogu, në çfarë date mirëpo nuk ka marr përgjigje lidhur me këtë.

Smajl Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se me këtë format të bisedimeve dhe me mënyrën qysh kanë filluar këto bisedime nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha.

Ajo që më brengos është se edhe këtë herë me këtë delegacion dhe prijës të bisedimeve nuk ka transparencë. Qytetarët e Kosovës nuk i dinë temat për çka do të bisedohet dhe kjo është shumë e padrejt dhe nuk garanton ndonjë sukses të madh sepse së pari duhet të dihen temat  për çka do të diskutohet dhe delegacioni i Kosovës duhet ta ndërpres praktikën e diskutimit për çështje të brendshme të Kosovës me Serbinë. Nëse edhe më tutje bisedohet për çështje të brendshme të Kosovës ne vetëm sa po ia rrisim legjitimitetin Serbisë brenda Kosovës prandaj unë personalisht jam kundër një dialogu të tillë”, ka thënë ai duke shtuar se dialogu duhet të ndodh mes dy shteteve të pavarura  mirëpo siç theksoi Kurteshi Kosova është larg kësaj sepse Serbia për çdo ditë jo vetëm që po deklarohet por edhe po punon për ç’bërjen e shtetit të Kosovës.

Kurteshi po ashtu tha se në dialog do të duhej të bisedoheshin tema të karakterit ndërshtetror e jo siç tha ai tema në të cilat Serbia e konsideron Kosovën krahinë të saj.

Temat që do të duhej të kishin prioritet është së pari çështja e shqiptarëve në luginën e Preshevës për të cilët kurrë askush nuk ka biseduar e që janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë,  do të duhej të bisedohej për tërheqjen e çfarëdo autoriteti të Serbisë nga veriu i Kosovës, do të duhej të bisedohej për pengesat që po ia bënë Serbia Kosovës për tu bërë pjesë e institucioneve ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, Unesco dhe shumë organizata të tjera. Duhet të bisedohet për tekstet shkollore ku nuk janë lejuar për nxënësit shqiptarë atje, kurse Serbia bie tekste antikushtetuese ku Kosovën e konsideron pjesë të saj edhe në Gjeografi edhe në Histori edhe në lëndë tjera. Kosova, për nxënësit serb që jetojnë në Kosovë e që shkollat e tyre financohen nga buxheti i Kosovës, konsiderohet që është Serbi, kurse shqiptarët janë armiq të Serbisë. Këto gjëra duhet të sqarohen me Serbinë. Nuk duhet të bisedojmë për çështje të brendshme a të hapet ura apo të mos hapet”, ka thënë ai.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi në një konferencë për media ka komentuar ndërprerjen e dialogut duke thënë se e njëjta mënyrë që Serbia sillet kështu sikurse në kohën e Millosheviqit.

Serbia gjithmonë ka bërë opstruksione. Nuk është e para herë që e ndërpret dialogun. Është një mënyrë e sjelljes së shtetit serb  ashtu siç ka ndryshaur logjika nga pushteti i Millosheviqit  në të njëjtën mënyrë po sillen përfaqësuesit e tashëm të Serbisë”, theksoi ai.

Kurse Avdullah Hoti nga LDK në po të njëjtën konferencë  për ndërprerjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Hoti ka thënë se duhet njëherë të zbardhet rasti.

Duhet presim që të zbardhet rasti, ftoj organet e drejtësisë që të mbyllin konspiracionet që po qarkullojnë deri më tani e që fajin ua hedhin nga pjesa veriore e Kosovës. Duhet të mbyllet ky rast”,  theksoi ai.

Njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj, ka thënë për Arbresh.info se dialogu Kosovë-Serbi ka qenë dialog pa kriter.

Çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është problem për t’u analizuar, pasi që fillim e mbarim, ka qenë një lloj dialogu apo negocimi pa kriter. Në radhë të parë, për mendimin tim, opinioni publik, nuk është mirë i njoftuar për dialogun ë deritanishëm. Nuk ka transparencë të mjaftueshme. Pala serbe kërkon më ngulm asociacionin, ndërsa pala shqiptare, në vend që të krijoj një komision startuar ekspertësh juridik, vite me radhë merret me vetveten dhe luftën për pushtet. Ku më ditë kush e bën atë statut e në fund na servohet si punë e kryer”, ka thënë ai.

Sipas tij nuk ka negocimi të suksesshëm, pa platformë dhe proaktivitet dhe se siç tha ai problem tjetër mund të jetë edhe ndryshimi i ekipit negociator.

Ne jemi mësuar që të tjerët të punojnë për ne. Dhe, nëse vazhdojmë kështu, vështirë që do shpëtojmë pa dalë të zhgënjyer. Problem tjetër që e shoh tani, është edhe ndryshimi rrënjësor i ekipit negociator. Kosova nuk e ka luksin të ndërroj ekip sa herë që ndryshon qeverisja. Kosova duhet ta ketë një ekip uniteti kombëtar që merret me tema nacionale. Kosova duhet të kërkoj më ngulm, zbardhjen e fatit te të zhdukurve, nxjerrjen para drejtësisë të gjithë kriminelët e luftës, themelimin e Ushtrisë së Kosovës dhe të kërkoj që mos të pengohet në anëtarësimin në Organizatat ndërkombëtare. Nuk mund të vazhdoj dialogu, veç sa t’u shërbej për punësim e poste, sepse nëse nuk jemi në krye të detyrës dhe profesionist të duhur, do ta dëmtojnë të ardhmen tonë”, ka deklaruar Duhanaj.

/Valdete Berisha/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme