Zëvendësministrja e Integrimit Evropian, Anila Statovci-Demaj, ka pritur sot në takim për të diskutuar zhvillimet e fundit me migrimin e parregullt nga Kosova, ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, Laszlo Markusz; zëvendës-ambasadorin e Gjermanisë, Jan Axel Voss, dhe sekretaren e Parë nga Ambasada Austriake, Eva Elisabeth Michlits.
Sipas një njoftimi nga MIE, Statovci-Demaj i njoftoi përfaqësuesit e këtyre tri ambasadave “për gjendjen aktuale, mobilizimin institucional dhe të dhënat zyrtare në dispozicion se çfarë është duke ndodhur me raportimet e fundit në media për rritje të numrit të qytetarëve për të migruar në mënyrë të parregullt”.
“Gjatë këtyre javëve të fundit, Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunim me institucionet relevante është duke monitoruar zhvillimet në këtë drejtim dhe të dhënat e deritanishme dëshmojnë se nuk ka shtim të numrit të atyre që janë duke shkuar në mënyrë të parregullt drejt Hungarisë. Nuk ka rritje të kërkesës për të udhëtuar në drejtim të Serbisë, dhe nuk ka kërkesa për të shtuar linja të reja te autobusëve në këtë drejtim”, ka thënë Statovci-Demaj.
“Ka informata se persona të caktuar, në mënyrë të organizuar janë duke tentuar të mashtrojnë qytetarët se ka një rrugë te kundërligjshme për të hyrë në kufijtë e Schengenit. Por dua të njoftoj qytetarët e Kosovës se në konsultim edhe me shtetet anëtare të BE-së jemi njoftuar se këto janë dezinformata dhe, edhe zona e gjelbër në kufi ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë është e mbyllur dhe se në rast të ndonjë kalimi eventual, organet e sigurisë Hungareze do të marrin masa ligjore për kalim të parregullt të kufirit”, tha ajo.
“Me qëllim që qytetarët tanë të mos bien në lajthitje nga kontrabanduesit, apelojmë te qytetarët tanë që të mos e marrin këtë rrugë sepse përveç shpenzimeve material atyre do t’u ndalohet edhe hyrja në Schengen për vite të tëra”, citohet të ketë thënë Statovci-Demaj.
Edhe ambasadori Markusz dhe përfaqësuesit e tjerë konfirmuan se do të ketë ndalim udhëtimi për të gjithë ata qytetarë që gjenden duke kaluar kufijtë e zonës Schengen në mënyrë të parregullt.
“Kosova është vend i sigurt i origjinës dhe qytetarëve të saj nuk u njihet e drejta e azilit në shtet anëtare të BE-së”, tha Markusz.
Nga ana e tyre përfaqësuesit e Ambasadave të BE-së në Kosovë, ishin mirënjohës ndaj institucioneve të Kosovës për proaktivitetin e shfaqur dhe marrjen e masave adekuate për të parandaluar një valë të migrimit të parregullt të qytetarëve të Kosovës si rrjedhojë e agjendave të atyre që kanë për synim dezinformimin e qytetarëve dhe përfitimin material në dëm të tyre.
Përfaqësuesit e Ambasadave të lartëcekura bëjnë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e politikave qëllimkeqe dhe të mos marrin rrugën e parregullt duke rrezikuar veten dhe familjarët e tyre.
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...
Horoskopi, parashikimi i yjeve për fundjavën