Edhe pse Ligji për Obiliqin është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 30 nëntor të vitit të kaluar, ai nuk është dekretuar dhe as kthyer në Kuvend nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. KosovaPress ka kërkuar të marrë përgjigje nga Presidenca e Kosovës, për shkakun që e ka shtyrë të parin e shtetit për të mos e nxjerr dekretin për shpallje të këtij ligji, mirëpo, ky institucion nuk është përgjigjur lidhur me këtë temë. Pavarësisht se nuk është dekretuar, kryetari i Obiliqit, vazhdon ta thotë të kundërtën.
Megjithatë, ky ligj është shpallur në Gazetën Zyrtare më 29 dhjetor në pajtim më nenin 80 paragrafi 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ligji për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, nuk mund të jetë në funksion pa dekretin e presidentit, ngase mund ta rikthej sërish në Kuvend.
Përveç dekretit, deputeti i Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe anëtari komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj thotë për KosovaPress, se shfrytëzimi i tantiemës duhet të jetë në harmoni me ligjin për financat publike, ngase Ligji për Obiliqin nuk është në harmoni me këtë ligj dhe për këtë shkak është jofunksional.
Beqaj: Ligji për Obiliqin nuk është në funksion
“Edhe ligji për Obiliqin që është bërë nuk ka qenë në harmoni dhe për këtë arsye nuk është në funksion e sipër… duhet të jemi të ndershëm para qytetarëve, ne të gjithë e kemi synimin që atyre qytetarëve ku shfrytëzohet resursi minerar t’iu japim krejt meritat të cilat caktohen dhe këto mjete të shkojnë për ambient, sport, rekreacion dhe gjëra të cilat e përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre”, thotë Beqaj.
Drejtoresha e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ), Dajana Berisha, për KosovaPress theksoi se përderisa Ligji për Obiliqin është miratuar në Kuvend duhet edhe të dekretohet nga presidenti i Kosovës.
Ajo shtoi se Obiliqi është një zonë e interesit ekonomik dhe dyshon se shumë interesa përplasen këtu.
Berisha: Nëse është marrë vendimi në Kuvend të dekretohet
“Sigurisht, përderisa është aprovuar në Kuvend dhe ka gjetur konsensus… nuk mund të lihen proceset në gjysmë, nëse është marrë vendimi në Kuvend të dekretohet dhe po shpresoj shumë që të ndihmojë sa do pak Komunën e Obiliqit me mbledhjen e tantiemës dhe taksave. Ajo çka kisha pasur dëshirë me parë, është mos me shkuar ato mjete në infrastrukturë të Obiliqit, por në infrastrukturë të fshatit të ri në Shkabaj, ku pretendohet të zhvendosen banorët”, theksoi Berisha.
Banori nga Obiliqi, Nexhmi Durmishi theksoi se mosdekretimi i Ligjit për Obiliqin është një neglizhencë edhe pse ishte dashur të ndodhte më herët. Ai tha se me këtë ligj do të ketë trajtim të veçantë si komunë e rrezikuar nga ndotjet.
Durmishi: Ligji për Obiliqin ka mbetur pa dekret për shkak të neglizhencës
“Po me duket mua se kjo është neglizhencë… sepse kjo është dashur me u bërë ma moti dhe me përparua pak Obiliqi për mos me mbetur në këtë gjendje që është. Po patjetër se po na duhet për komunë tonë… ky ligj presim të na ndihmojë së pari për zhvillimin ekonomik, në rregullimin e qytetit, fshatrave dhe të tjera”, deklaroi Nexhmiu.
Banori tjetër i Obiliqit, Zeqirjah Halimi, i bënë thirrje presidentit të Kosovës që ta dekretojë këtë Ligj dhe të fillojë të zbatohet, ngase banimi në këtë komunë thuajse është bërë i pa mundur për shkak të ajrit të ndotur.
Halimi: I bëjë thirrje presidentit ta dekretoj këtë Ligj me rëndësi jetike për Obiliqin
“Ambienti mjaft i keq, ajri i ndotur, tymi, elektranat… i bëjë thirrje ta dekretoj këtë ligj kryetarit të Kosovës, por ende nuk kanë ndërmarrë asgjë, e kanë miratuar, por duhet me u zbatuar ky ligj sa më shpejt sa është e mundur”, tha Halimi.
Ali Grajcevci banor i fshatit Hade, nuk ka arrit ta kuptojë pse nuk po hynë në fuqi ligji për Obiliqin, edhe pse në Kuvend është miratuar në fund të vitit të kaluar. Ai tha se nëse është ‘bllokuar’ tek presidenti, duhet gjithsesi të dekretohet dhe të jetë në shërbim të komunës dhe banorëve të saj.
Grajçevci: Pse presidenti nuk po e nënshkruan
“Kuvendi e ka aprovuar ligjin për Obiliqin, ndërsa presidenti i shtetit nuk po e nënshkruan këtë ligj… për çka nuk po e nënshkruan ai e di”, deklaroi Grajçevci.
Ndërsa, kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, duket se po iu qet “hi syve’ banorëve të kësaj komune me arsyetimin se është dekretuar Ligji për Obiliqin nga presidenti i Kosovës. Gashi nuk e di as datën e saktë se kur është miratuar në Kuvend ky ligj. Për kryetarin e Obiliqit, ligji tanimë është i plotfuqishëm.
Gashi: Është dekretuar ligji për Obiliqin
“I keni informatat e gabuara sepse ne e dimë që është dekretuar Ligji dhe i ka kaluar të gjitha fazat. Faktikisht këtë të dhënë mundeni me nxjerrë edhe nga faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës. Leximi i dytë ka kaluar në Kuvend më 30 tetor… pastaj më 22 sipas faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës është parë se është dekretuar ligji nga presidenti i vendit dhe pastaj ka dalë në gazetën zyrtare. Ne e kemi edhe gazetën zyrtare që nënkupton se ligji tanimë është i plotfuqishëm”, deklaroi Gashi.
Ligji për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, ka për qëllim përcaktimin e Komunës së Obiliqit dhe rrethit të tij si zonë me rrezik të veçantë mjedisor, si pasojë e ndotjes së vazhdueshme të ajrit, tokës dhe ujit, si dhe përmirësimin e kushteve mjedisore, që lidhen me cilësinë e jetës dhe mbrojtjen e shëndetit të njeriut. Tantiema nga eksploatimi i thëngjillit me këtë ligj parashihet të jetë 20 përqind.
Osmani: Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngus...
Nesër mbahet mbledhja e përbashkët e kuvendeve Kosovë-Shqipë...
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...