Google ADS

Nuk e duan Thaçin kryenegociator

08:20 | 5 Qershor 2018
Arbresh.info

Platforma e dialogut me Serbinë, sipas së cilës presidenti Hashim Thaçi do të jetë udhëheqës i fazës finale të këtij procesi, s’e ka përkrahjen e shumicës së partive parlamentare në vend. Përpos mbështetjes nga PDK-ja dhe AAK-ja, kjo platformë kundërshtohet nga LDK-ja, LVV-ja, PSD-ja dhe Nisma.

Analistët thonë se Thaçi duhet të tërhiqet nga ky proces nëse për shkak të tij nuk po arrihet konsensusi.

Platforma e dialogut me Serbinë nuk pritet të rezultojë me ndonjë konsensus të gjerë politik në vend.

Përkundrazi, një pjesë e partive politike tashmë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin platformën në fjalë, sipas së cilës presidenti Hashim Thaçi do të jetë udhëheqës i fazës finale të këtij procesi.

Përderisa LDK-ja ka njoftuar përfundimisht se nuk do ta votojë projekt-platformën e dialogut, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë atë në rast se nuk ndryshohet ashtu siç do ta pranonte LVV-ja, shkruan më tutje “Zëri”.

Pos kësaj, ky subjekt po vazhdon të mbetet kundër asaj që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ta drejtojë fazën finale të negociatave me Serbinë.Kundër Thaçit kryenegociator është deklaruar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), përfaqësuesit e së cilës kanë konsideruar se kreu i shtetit nuk është personi adekuat për ta drejtuar këtë proces.

Por pos këtyre edhe qëndrimi aktual i Nismës Socialdemokrate (e cila është në koalicionin qeverisës), është që Thaçi të mos jetë kryenegociator.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme